
Marc Anthony dhe bashkëshortja e tij, Nadia Ferreira, kanë ndarë me publikun një nga momentet më të lumtura të jetës së tyre familjare. Çifti është bërë prindër të një vajze, e cila ka ardhur në jetë së fundmi dhe mban emrin Myla.
Lajmi u bë publik përmes një postimi në Instagram, ku ata publikuan edhe fotografi të së porsalindurës, duke shprehur emocionet për ardhjen e anëtares më të re të familjes.
“Sa të bekuar ndihemi që ndajmë me ju ardhjen në jetë të Mylës sonë të dashur. Lumturia që ka mbushur shtëpinë tonë është e papërshkrueshme”, shkruan çifti në mesazhin e tyre.
Myla është fëmija i dytë i Marc Anthony dhe Nadia Ferreira, pas djalit të tyre Marcos, i lindur në qershor të vitit 2023. Për këngëtarin latin, ajo është fëmija i tetë.
Ata zbuluan se prisnin një tjetër bebush në janar të këtij viti, në të njëjtën ditë kur festuan tre vjet nga fillimi i historisë së tyre të dashurisë. Në atë kohë, çifti e shoqëroi njoftimin me një fotografi ku Marcos prekte barkun e rrumbullakosur të nënës së tij, ndërsa shkruanin se ndiheshin të bekuar për dhuratën e re që u kishte sjellë jeta.
Më vonë, Nadia Ferreira konfirmoi se prisnin një vajzë, duke publikuar në rrjetet sociale një fotografi me këpucë të vogla rozë.
Marc Anthony dhe modelja paraguajane u martuan në Miami në janar të vitit 2023, disa muaj pasi shpallën fejesën. Për Nadian kjo është martesa e parë, ndërsa për artistin e njohur e katërta.
Këngëtari është baba i tetë fëmijëve nga marrëdhënie të ndryshme. Ai ka vajzën Arianna nga lidhja me Debbie Rosado dhe adoptoi djalin Chase gjatë asaj periudhe. Nga martesa me ish-Miss Universe Dayanara Torres ka dy djem, Cristian dhe Ryan, ndërsa nga martesa me Jennifer Lopez janë binjakët Maximilian dhe Emme.
Emri i Marc Anthony u komentua së fundmi edhe pasi mungoi në ceremoninë e diplomimit të binjakëve të tij. Pas këtij episodi, Jennifer Lopez deklaroi në një intervistë se i kishte rritur fëmijët kryesisht e vetme, një koment që nxiti diskutime të shumta në rrjetet sociale.
