Qysh pesë vjeçe kur sapo kishte nisur të hidhte hapat e para, Dora Bakiu bashkë me fjalët kishte mësuar të luante piano. E rrethuar në një univers artistik, të mbushur plot tinguj, e ëma soprano e njohur në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe daja, kompozitor dhe muzikant virtuoz, nuk kishte sesi Dora mos të merrte si dhuratë një piano, ndryshe nga kukullat dhe lodrat e ngjashme që merrnin moshatarët e saj. Nën kujdesin e pianistes Nadjezhda Porodini, ajo nisi të perfeksionohet, duke mbaruar Liceun Artistik me rezultate të shkëlqyera, me pas për të ndjekur studimet e larta në Konservatorin e Veronës.
Dora duket sikur gjithë jeta jote është vetëm muzikë, ke filluar që kur ishe 5 vjeçe?
Muzika ka qenë një pjesë e pandashme e jetës sime që në fëmijëri. Mamaja ime, një soprano, ka qenë burimi im më i madh i frymëzimit. Teatri i Operës dhe Baletit ka qenë si një shtëpi e dytë për mua, ndërsa në shtëpi, opera dhe muzika klasike ishin pjesë e përditshmërisë sonë dhe vazhdojnë të jenë edhe sot. Kam nisur shkollën e muzikës në moshën 5-vjeçare, por më pëlqen të them se rrugëtimi im me muzikën ka nisur që në barkun e mamit.
Cili është mësimi më i mirë që të ka dhënë mami për muzikën?
Mësimi më i vlefshëm që mamaja më ka dhënë për muzikën, ka qenë përmes mënyrës se si ajo e përjetonte atë. Ajo përfshihej 100 për qind me gjithë emocionet e saj, sikur këndonte, ashtu edhe kur e dëgjonte muzikën. Madje, edhe kur fliste për një opera apo një vepër që e kishte për zemër, shpesh përlotej. Duke e parë këtë, mësova se si ta dua dhe ta jetoj këtë art me gjithë shpirtin dhe qenien time.
Edhe pse e rritur ne një familje me mamin artiste, zgjodhe si mësuese Nadjezhda Porodinin, pse?
Zyshë Nadi ka qenë fati më i madh në jetën sime. Ajo vazhdon të jetë dhe do të mbetet gjithmonë një nga njerëzit më të rëndësishëm për mua. Ajo di gjithçka për jetën time dhe ka kaluar përtej kufijve të marrëdhënies mësues-nxënës, duke u bërë si një prind i dytë për mua. Për mendimin tim, ajo është pianistja dhe pedagogia më e mirë që ka vendi ynë, por përveç kësaj, është një njeri i jashtëzakonshëm. Pa të, nuk do të isha pianistja që jam sot, as nga ana profesionale, as nga ana emocionale.
Dora zbulova që ke filluar shumë herët të këndosh dhe të luash në piano, pse dy zgjedhje?
Kënga ka qenë gjithmonë një pjesë e shtrenjtë për mua dhe mendoj se më shoqëron ende, edhe pa e kuptuar. Kur isha fëmijë, këndoja nëpër shtëpi, duke imituar mamanë time. Kjo ishte zanafilla e gjithçkaje. Megjithatë, një person tjetër që më ka afruar më shumë me këngën ka qenë daja im, Luan Bakiu, një kompozitor dhe dirigjent me një dashuri dhe njohuri të jashtëzakonshme për muzikën. Ai kompozonte të gjitha këngët e mia kur isha e vogël, madje, pianoja që kam studiuar gjithë këto vite ishte dhuratë nga ai.
Dilan dhe Gerona kanë qenë thuajse shoqëruesit e tu në shumë këngë, pse hoqe dorë?
Me Dilanin dhe Geronën kam disa nga kujtimet më të bukura të fëmijërisë. Do ta kisha vazhduar me shumë kënaqësi këtë rrugë, por pianoja ishte pasioni im kryesor. Vendosa të përqendrohem plotësisht te ajo, pasi kërkon shumë studim dhe përkushtim. Gjatë adoleshencës e kam menduar t’i rikthehem këngës, por mbeti si një kujtim i bukur që ruaj në dhomën e studimit.
Pas rezultateve të shkëlqyera në Tiranë, u zhvendose në Itali, çfarë të mësoi shkolla shqiptare dhe çfarë ajo italiane?
Shkolla shqiptare më dha bazat e forta të njohurive muzikore dhe disiplinës, ndërsa shkolla italiane më mësoi të eksploroja kreativitetin dhe të shihja mundësitë që ofron bota. Ajo më ndihmoi të vihem në provë në një ambient ku askush nuk më njihte dhe më bëri të rritem më shumë si artiste. Mësova që nuk ka vend për ego, por vetëm për të vërtetën që mban muzika.
Nga Verona, Dora udhëtoi në Vjenë, në kaq vende identifikuese botërisht me muzikën…
Verona më dha eksperiencën e parë të jetës jashtë Shqipërisë. Arsyeja përse zgjodha këtë qytet ishte falë dajës tim Ilir Bakiu, i cili është violonçelist i parë në filarmoninë e Veronës, njëkohësisht mentori im. Kisha fatin të takoja shumë njerëz të mirë që më ndihmuan në çdo hap të rrugëtimit tim. Ndërsa Vjena ishte si një ëndërr për një pianiste. Fryma e muzikës klasike aty është unike dhe niveli i artit në çdo aspekt nuk të zhgënjen kurrë. Më kujtohet kur kthehesha në orën 10:00 të darkës pas studimit dhe ulesha jashtë teatrit të operës. Ata ofronin shfaqjen në një ekran gjigant me karrige për shikuesit jashtë. Madje, jashtë dritares së shtëpisë sime, një fëmijë po këndonte arien e Mbretëreshës së Natës nga “Flauti Magjik”. Aty kuptova se për atë qytet, muzika ishte oksigjeni i tij.
Cili ka qenë koncerti yt më i bukur dhe çfarë kujton?
Një nga koncertet që më ka mbetur në mendje, ishte koncerti im i parë me konservatorin e Veronës. Isha 19 vjeçe dhe ndodhesha në një skenë të madhe para më shumë se 500 spektatorëve. Guximi dhe dashuria mbizotëruan në mënyrë natyrale, sa nuk e di as vetë se ku e gjeta atë forcë. Ndërsa një koncert si soliste, që kam mbajtur pak muaj më parë në Hamburg, më bëri të përlotem gjatë interpretimit. Në atë moment kuptova që çdo sakrificë dhe vështirësi që kam kaluar ia ka vlejtur dhe se ndodhesha pikërisht aty ku duhej të isha.
Di që pianistët kanë një regjim spartani, sa orë studimi bën zakonisht?
Ah, ne pianistët e kemi pak të vështirë këtë pjesë. Zakonisht studioj 4-6 orë në ditë, por para një koncerti të rëndësishëm arrij deri në 8 orë. Kohët e fundit po mësoj edhe si të akordoj pianon, pasi dua ta njoh më mirë instrumentin tim. Ka qenë sfiduese të organizoj studimin mes programeve, konkurseve që më presin, akordimit dhe mësimdhënies, që gjithashtu është shumë e rëndësishme për mua.
A ke ndonjë "zakon" për t’i uruar vetes fat para se të ngjitesh në skenë?
Mbyll sytë dhe meditoj për disa momente para një performance. Mendoj emocionet që dua të përcjell dhe i them vetes gjithmonë fjalët e zyshë Nadit: “Mendo muzikën, e qetë dhe me mend në kokë”. Kjo më jep qetësi dhe vetëbesim. Duhet ta pranoj jam shumë supersticioze, hudhra në xhep nuk mungon kurrë (qesh).
Cila është ëndrra jote më e madhe, në cilën skenë dëshiron ta shohësh veten?
Ëndrra ime më e madhe është të përcjell sa më shpesh emocione në skenë, të arrij potencialin tim maksimal si pianiste dhe artiste, dhe të ndihmoj brezat e ardhshëm duke u transmetuar dashurinë për muzikën. Dua të ndaj me ta këshillat që kam marrë nga të gjithë profesorët e mi të dashur ndër vite. Çdo skenë është perfekte, por do të dëshiroja të luaja në shtëpinë e Chopin-it, Żelazowa Wola. Besoj se ndjesia do të ishte unike, një përvojë që vjen vetëm një herë në jetë.
Ku e sheh veten në të ardhmen, në skenat shqiptare apo botërore?
E shoh veten gjithmonë të dashuruar me skenën, cilado qoftë ajo. Pse jo, edhe në Shqipëri, vendin që më dha dashurinë për muzikën dhe mundësinë për t’u bërë pianiste. Nuk ka gjë më të bukur se të jesh në shtëpi, duke bërë atë që do më shumë.