
Celine Dion po përgatitet për një rikthim të madh në skenë, teksa ka njoftuar shtimin e dhjetë datave të reja koncertesh në Paris, pas interesit të lartë të publikut për turneun e saj të planifikuar për vitet 2026-2027.
Koncertet e reja do të mbahen në arenën “Paris La Défense Arena” gjatë muajit maj 2027, në datat 8, 12, 14, 15, 19, 21, 22, 26, 28 dhe 29. Këto shfaqje janë shtuar për t’u dhënë mundësi fansave që nuk arritën të siguronin bileta gjatë para-shitjes së parë.
Organizatorët Concerts West/AEG Presents dhe Inter Concerts kanë bërë të ditur se biletat do të ofrohen fillimisht për një grup të përzgjedhur admiruesish që ishin regjistruar më herët në sistemin e para-shitjes.
Turneu “Celine Dion Paris 2026-2027” do të sjellë në skenë disa prej këngëve më të njohura të artistes, si në gjuhën angleze ashtu edhe në frëngjisht, duke përmbledhur momentet më të rëndësishme të karrierës së saj shumëvjeçare.
Prodhimi artistik i spektaklit do të udhëhiqet nga Willo Perron, një emër i njohur në industrinë e argëtimit dhe fitues i disa çmimeve prestigjioze për krijimtarinë e tij.
Ky rikthim vjen pas një periudhe të vështirë për këngëtaren kanadeze, e cila në vitin 2022 zbuloi se ishte diagnostikuar me Sindromën e Personit të Ngurtë (Stiff Person Syndrome), një sëmundje e rrallë neurologjike që e detyroi të tërhiqej përkohësisht nga aktivitetet artistike.
Me koncertet e reja në Paris, Celine Dion synon të ribashkohet me publikun e saj dhe të shënojë një kapitull të ri në karrierën e saj muzikore.
