Aktori dhe regjisori i madh Mevlan Shanaj ka qenë i ftur te “Rudina” për të folur për librin “Të fshehta jashtë ekranit”, një libër me nuanca biografie. Në mes emrave, kolegëve e kolosëve të artit që puna e ka ndeshur gjatë jetës së tij, ai ka përzgjedhur 50 prej tyre dhe ka ndarë kujtime me secilin në “Të fshehta jashtë ekranit”, një libër me nuanca biografie.
Gjatë bisedës regjisori shprehu vlerësimet më të larta për Sandër Prosin, të cilin e cilësoi një njeri fisnik dhe të rrallë. Në një pasazh të librit ka rrëfyer një ngjarje tronditëse: tentativën e vetëvrasjes së Sandër Prosit.
“Ishte koha e tmerrshme kundër liberalizmit, ishte rregull që në orën 9 të bëhej apeli në teatër. Sandri nuk e dëgjoi emrin dhe iku me trazimin se më paskan hequr nga teatri. Ishte i lodhur me idenë e frikës së asaj kohe. Shkoi në shtëpi dhe vendosi të vriste veten. Kur vajta në spital i thashë se çfarë bëre, pasi kisha konfidenca me Sandrin. Tha ‘rri Mevlan, për dy gisht kisha mbaruar punë’. Sandri, ky gjigant ka vuajtur nga persekucioni”.
Më tej, në libër shkruhet edhe për ditën e trishtë kur arti dhe jo vetëm, humbën Sandër Prosin në mënyrë tragjike, rrethanat e të cilës ende nuk dihen. “Nuk e dimë sepse ishte i vetë, kam pyetur Muharrem Fejzon kur ka ndodhur kjo në Vollgën e Durrësit, kishin lënë xhirim pasdite ata, në orën 5. Ra, e hodhën, e vranë apo vrau veten, asnjë interpretim nuk ka, nuk ka asnjë dëshmitar.
Di që Muharremi më ka thënë ‘ishte nervoz Mevlan atë ditë”, tha Shanaj, teksa shtoi se ishte duke xhiruar, “Pranverë e hidhur”. “Ka ndodhur çasti tragjik kur nuk ka asnjë dëshmitar. As nga organet kompetente nuk erdhi një mesazh i qartë”.