Ajo është marka më e vjetër e modës pas Hermes. Me plot 178 vite, estetika minimaliste dhe mjeshtëria artizanale e Loewe e kanë bërë atë një nga markat më të kërkuara të modës luksoze. Nga një dyqan që prodhonte çanta vetëm për familjen mbretërore spanjolle, ajo është sot një ndër markat më prestigjioze, e cila karakterizohet nga një përzierje unike e elegancës dhe dizajnit inovativ.
Artizanët e Madridit
Loewe është një nga markat më të vjetra luksoze. E themeluar në vitin 1846 në Madrid, në prodhimin e çantave të lëkurës për familjen mbretërore spanjolle, dyqani përbëhej nga një grup artizanësh, derisa Enrique Loewe e bleu dhe i vendosi emrin e tij. Marka kishte blerës prestigjiozë, si: Mbretëresha Viktoria Eugenie, Ernest Hemingway, Sophia Loren dhe Marlene Dietrich.
Koleksioni i parë
Në shekullin e 20-të, kur moda nisi të bëhej më masive, Loewe lançoi në vitin 1965 koleksionin e parë me veshje dhe aksesorë, një moment kyç në historinë e markës, e cila nga një prodhues ekskluziv u kthye në brand popullor, duke shtuar gamën e produkteve, si dhe duke tërhequr një audiencë më të gjerë. Logoja ikonike me katër shkronja të ndërlidhura “L” u dizajnua nga Vicente Vela.
Çanta Amazona
E njohur për prestigjin e prodhimeve cilësore prej lëkure, Amazona është e para dhe një nga çantat më ikonike e krijuar nga Loewe. Popullariteti i saj e forcoi statusin e saj në botën e modës dhe aksesorëve luksoz. Sot, ajo vjen në përmasa, ngjyra dhe materiale të ndryshme. Ndërkaq, një tjetër model po kaq i famshëm është çanta Flamenco, e krijuar në vitin 1970.
Parfumi L
Giorgio Armani dhe Laura Biagiotti ishin stilistët e parë që projektuan koleksionet e grave për Loewe, dhe ata hodhën edhe idenë e një parfumi. Në vitin 1972 u lançua parfumi i parë me emrin L de Loewe. Për shkak të suksesit, shtëpia spanjolle vazhdoi të krijonte parfume të tjera si “Aire” dhe “Esencia”. Në 1996, LVMH bleu Loewe, duke e bërë pjesë të portofolit të saj të markave luksoze.
Stilistët që e transformuan
Pas suksesit, Loewe ja besoi drejtimin drejtorëve krijues: i pari ishte Narciso Rodriguez, por ai që e transformoi rrënjësisht ishte stilisti britanik Jonathan Anderson, i cili është drejtori aktual krijues. Ai pati një vizion të ri për Loewe, duke e shtrirë nga anëtarët e familjeve mbretërore deri tek artistët e njohur, si Lewis Hamilton, Kylie Jenner dhe Zendaya.



















