KreuStil Jetese

Një udhëtim në Vjosë, të vetmin Lum të Egër në Europë!

Nga Alex Crevar, gazetar i New York Times  

Një udhëtim në Vjosë, të vetmin Lum të Egër
Një udhëtim përgjatë lumit Vjosa të Shqipërisë jugore, do të thotë të përshkosh një peizazh që duket si në shekuj. Duke rrjedhur nga kufiri veriperëndimor i Greqisë në detin Adriatik, Vjosa vërshon në kanione dhe gryka të formuara nga pyje të thepisura lisash dhe bredhash. Urat e lashta prej guri lidhin brigjet. Delet kullosin në pllajat e luginës, ndërsa vreshtat, fermat familjare, pemishtet dhe ullishtat ndërthuren me fushat me luleradhiqe dhe lulëkuqe.

Një udhëtim në Vjosë, të vetmin Lum të Egër

Në fillim të këtij viti, Shqipëria ndërmori një hap shumë të rëndësishëm drejt ruajtjes së kësaj pasurie natyrore me ngritjen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, i pari në Evropë dhe një destinacion i përfshirë në listën e 52 vendeve për t’u vizituar këtë vit. Pas vitesh protestash kundër projekteve të minierave dhe digave, dhe mbështetjes së madhe nga aktori i Hollywood-it, Leonardo DiCaprio, përcaktimi i parkut ishte një fitore.

Si për vendasit ashtu edhe për turistët, përcaktimi i parkut është një ndihmë, nëse jo një shpëtim. Dhe në një vend tashmë të njohur për ushqimin e tij, territori i Luginës së Vjosës e vendos standardin edhe më lart. Frutat dhe perimet e freskëta, trofta, mjalti i malit, mishi i qengjit e viçit të kullotave, vera, rakia, djathërat dhe barishtet janë me bollëk, së bashku me mikpritjen e ngrohtë ballkanike.

Një udhëtim në Vjosë, të vetmin Lum të Egër

Kur mbërrita në fund të prillit, bora mbulonte ende majat mbi lumë. Lugina ishte e mbushur me vizitorë, kur bëra ndalesën time të parë në qytetin e Përmetit, i cili shtrihet në një kthesë në Vjosë rreth 20 milje nga kufiri grek. Ngjarja kulturore ‘Vjosa n’Fest’ që mbante edicionin e dytë këtë vit, ishte duke festuar kulturën e lumit, në vendin e quajtur “Qyteti i Trëndafilave”, që po kthehet në një qendër aventure. Formacioni i festivalit përfshinte akte muzikore, ecje me guidë, kalërim, çiklizëm dhe rafting.

Ndërsa ra mbrëmja, vendasit dhe të huajt mbushën rrugët, duke dëgjuar ansamblin kryesor të festivalit: Sazet e Përmetit. Me çdo këngë të zjarrtë, një përzierje zërash polifonikë, klarinetë, violinash dhe fizarmonikash, turma hapi krahët për t'u argëtuar nën yje.

Vjosa, kjo mbretëreshë me malet përreth si kurorë!

Një udhëtim në Vjosë, të vetmin Lum të Egër

Të nesërmen në mëngjes, pas një mëngjesi me gliko tradicionale (arra ose fruta të ziera në ujë me sheqer dhe të ruajtura në shurup) dhe kafe të fortë të zier në sobë, eca nga bujtina ime në kafenetë dhe dyqanet buzë lumit të sheshit kryesor. Pleqtë luanin domino, përpara një tribune prodhimesh. Në zyrat e “Vjosa Explorer”, një kompani që drejton turne me gomone, rezervova vendin e fundit në një grup frekuentues të festivalit, me sy të lodhur nga argëtimi dhe pagjumësia e një nate më parë.

Na zgjoi lumi i ftohtë nga shkrirja e borës, teksa gjarpërohej mes mureve të kanionit. Rreth gjysmës së ekspeditës treorëshe, ne zbritëm në një plazh me guralecë. Pas nesh, Maja e Papingut 8,143 metra e lartë, pika më e lartë në vargmalin e Nemërçkës, u ‘zhyt’ nëpër retë e mprehta. Vendasit e quajnë malin me emrin e tij mitik: Maja e Dritës.

Në nivel infrastrukturor, Shqipëria shkëlqen me bujtinat lokale (po, pranojeni atë gotë raki që ju ofrojnë vendasit) dhe rrëfenjat e pashkruara. Për shkak se vendasit janë mikpritës natyrorë dhe Shqipëria ka një gjeografi të larmishme; det, male dhe lumenj si Vjosa, të gjitha këto në shumë pak kilometra, vendi gjithmonë i tejkalon pritshmëritë. Ky kombinim i mikpritjes dhe potencialit të pashfrytëzuar e bën dehëse Luginën e Vjosës, relativisht të pazbuluar. Gjithashtu krijon kushte pjellore për mbiturizëm.

Ecja me kujdestarët e kulturës!

Një udhëtim në Vjosë, të vetmin Lum të Egër

Fermerët në ato troje janë vërtetë kujdestarë të kulturës, të cilët japin gjithçka për të kontribuar në turizmin e vendit të tyre, duke hapur shtëpi mikpritëse apo bujtina të vogla. Ecja ime fillestare ishte e moderuar deri në Ujëvarën e Sopotit. Udhëtimi tjetër ishte një orë ecje në jug të Përmetit, deri në kishën ortodokse të Shën Mërisë të shekullit të 18-të, në vendbanimin kodër të Leusës. Kisha me tre nefshe, me gurë e tulla, e cila ka një ikonostas druri, është e mbushur me afreske dhe murale.

Një udhëtim në Vjosë, të vetmin Lum të Egër

Një udhëtim në Vjosë, të vetmin Lum të Egër

Më pas më udhëzuan për në kanionin e ngushtë të Lengaricës, që ndodhet në djep të lumit Lengaricë, një degë e Vjosës dhe një sërë burimesh kurative (llixha) pranë fshatit Bënjë. Kemi ecur pranë urës Katiu të epokës osmane, ku ndodhet më e madhja nga banjat termale, tashmë të mbushur me njerëz. Ne ecëm në rrjedhën e sipërme, në ujë deri në gjunjë, në pellgje më të izoluara. Secila nga gjashtë banjat e squfurit ka një përfitim të veçantë mjekësor. Zgjodhëm atë për reumatizma dhe u relaksuam, teksa nisi të bjerë papritur shi.

Një udhëtim në Vjosë, të vetmin Lum të Egër

Të nesërmen, ne bëmë një shëtitje 45-minutëshe, nga qyteti buzë lumit të Këlcyrës deri te mbetjet e një fortese ilire 2400-vjeçare në një kreshtë me pamje nga Vjosa. Qindra metra poshtë rrënojave, një grup me kajakë, varka portokalli dhe helmeta të kuqe kundër ujit kaluan nëpër grykën e Këlcyrës. Nga ky këndvështrim strategjik, banorët e lashtë dikur komunikonin me sinjale tymi, duke paralajmëruar pushtuesit: grekë, maqedonas, romakë.

Ndërmjet udhëtimeve, ne ecnim në fshatra për të vizituar familjet që punojnë me disa bujtina, duke i ofruar prodhimet e tyre BIO. Në Gostivisht, Flora dhe Krenar Sali kanë 150 koshere bletësh që prodhojnë mjaltë nga lulet e malit të quajtura Bedunica. Në fshatin Peshtan, poshtë malit të Golikut, takuam Mira Mukën, e cila na tregoi koleksionin e saj të armëve nga vija e frontit italo-grek të Vjosës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtyre njerëzve Vjosa u jep gjithçka: njerëzit, peshkun, ujin. Është e kaluara dhe e ardhmja e tyre.

Një udhëtim në Vjosë, të vetmin Lum të Egër

Si aventurë të fundit, hipa në rrugën e re të çiklizmit 675 milje të UNESCO-s, një pjesë e së cilës kalon përmes pellgut të Vjosës deri në fundin e lumit në detin Adriatik. Lumi përfundonte në veri të Vlorës, qyteti i dytë më i madh bregdetar i vendit, i themeluar nga grekët 2600 vjet më parë.

“Në mbrojtjen e mjedisit, duhet të fitosh çdo ditë, kështu që kur më në fund të kesh një fitore që zgjat gjatë, siç është shpallja e Parkut Kombëtar të lumit të egër Vjosa, është e rëndësishme të ndalosh dhe të ndjesh një moment shprese. Ishte një moment i jashtëzakonshëm për të gjithë ne, por ne e kemi të qartë se puna me të vërtetë fillon këtu”: më shkroi Ryan Gellert nga Patagonia në një email pasi mbarova udhëtimin në Vjosë...

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF