KreuArt

I diplomuari për shkenca politike, fitues i Çmimit Ndërkombëtar Onufri

Artisti fitues i edicionit të 22-të të Çmimit Ndërkombëtar Onufri është shfallur Ilir Lluka, i diplomuar për shkenca politike, por që vjen në këtë ekspozitë në mediumin e videos të instaluar në tre ekrane. Vepra “Further Inside” është një poezi me tre elemente: vizuale, muzikore dhe verbale. Juria e këtij edicioni e përbërë nga Arben Bajo (Artist, Pedagog në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti Arteve), Ermir Hoxha (Kurator i Galerisë ‘’FAB’’), Zeni Ballazhi (Kurator i Galerisë Kombëtare Kosovë) me kryetar jurie z. Zeni Ballazhi, i dhanë çmimin fitues artistit me motivacionin: ”Për arritjen e harmonizimit mes realitetit material dhe krijimit shpirtëror, servirur me një gjuhë të sofistikuar teknologjike” dhe si e tillë vepra e Ilir Llukës vlen të promovohet e evidentohet mbi të tjerat për vlera të konsiderueshme estetike dhe artistike. Ilir Lluka është një artist audiovizual, kompozitor i muzikës elektronike dhe autor software-i nga Tirana, (lindur në 1984). Ai është diplomuar për shkenca politike dhe ka studiuar në mënyrë autodidakte teknikat e kompozimit elektronik dhe përpunimeve audiovizuale. Metoda e tij e punës zhvillohet kryesisht përmes krijimit të software-ve specifike për secilën punë dhe kombinimit të regjistrimeve zanore në terren (field recordings), tingujve elektronike, instrumentave akustike (violonçel, kontrabas, piano, etj., shpeshherë të përdorura me shumë distorsion) dhe poezisë. Ilir Lluka ka publikuar 5 albume dhe “singles” lëshuar prej etiketash diskografike në Itali, Gjermani, Angli, Norvegji, Francë dhe Spanjë. Muzika e tij është përshkruar si “një udhëtim mendor i thellë, atmosferik dhe surreal në lokacione të papërcaktuara”.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF