Jo më larg se sot folëm për atë çka spikati në pasaralat e haute couture të këtij viti, e nuk mundën të kalonin pa u vënë re, bizhuteritë e një madhësie të konsiderueshme. Vëthë shumë të gjatë, varëse të mëdha, byzylykë të trashë – duket se profesionistët e modës preferuan ekstra large-n për 2017. Mendoni se ky ësht i vetmi trend i aksesorëve? Epo, ja që gaboni.
Për të gjithë ata që pëlqejnë rebelizmin e risinë, krijuesit e bizhuve kanë menduar edhe për ju. Nuk po flasim për modele të çmendura, as për ngjyra të shumëllojshme, pasi këto nuk janë më novacion. Jo më kot e kemi theksuar disa herë që diferencën e bën stili, e tani kjo vlen më shumë se kurrë!
Këtë verë, shumëzojini aksesorët për dy, pasi bota e modës është në humor për numrin çift. Dy vëthë në të njejtin vesh, dy byzylykë në të dyja duart…Kjo lloj barazie estetike nuk është parë prej disa vitesh tashmë, e në sezonin e këtij viti bën një rikthim spektakolar, duke dhënë mundësinë për një shfaqje ndryshe. Klikoni në galeri dhe inspirohuni nga idetë më të fundit të stilistëve. Plot surpriza paska qenë kjo verë!



















