Një nga evakuimet më të famshme të Luftës së Dytë Botërore në ekranin e madh
“Dunkirk” është një film triller historik i shkruar drejtuar dhe prodhuar nga regjisori i njohur Christopher Nolan. Filmi që mbërrin për publikun shqiptar një ditë para premierës botërore, do të fillojë të shfaqet në kinema Millennium prej datës 20 korrik.
Në rolet kryesore intepretojnë aktorët Fionn Whitehead, Tom Glynn-Carney, Jack Lowden, Harry Styles, Aneurin Barnard, James D’Arcy, Barry Keoghan, Kenneth Branagh, Cillian Murphy, Mark Rylance dhe Tom Hardy. Në film shënon debutimin e tij kinematografik edhe këngëtari i grupit “One Direction” Harry Styles.
Filmi i vendos ngjarjet në Luftën e Dytë Botërore. “Dunkirk” rrëfen një nga evakuimet më të pabesueshme drejt Britanisë së Madhe, të mijëra ushtarëve belgë, francezë, britanikë të cilët ishin të bllokuar në plazhet e Dunkerque nga përparimi i ushtrisë gjermane në të ashtuquajturën Beteja e Francës. Trupat britanike dhe aleate gjenden të rrethuar nga forcat armike. Operacionet e imbarkimit kërkonin më shumë kohë nga sa parashikohej, dhe mbi të gjitha ngadalësohet nga një bombardim i fortë i armiqve që fut në panik dhe dëshpërim ushtrinë e aleatëve. E gjithë qyteza bregdetare përfshihet në përgatitjet për të shpëtuar ushtarët. Pas shumë ditësh pritjeje, njerëzit shpëtohen, por nga një flotë e improvizuar evakuimi me të gjitha mënyrat e mundshme duke përfshirë anije peshkimi madje edhe varka shpëtimi.
Nolan shkroi skenarin nga tre perspektiva; tokë, det dhe ajër, duke krijuar një panoramë të plotë të ngjarjes. Ai ka përdorur dialogje të shkurtëra dhe pauza që i lënë vend detajeve. Xhirimet e filmit filluan në vitin 2016 në Dunkirk, Francë dhe përfunduan në Los Angeles.Ky është i pari film që Christopher Nolan realizon të bazuar në një ngjarje të vërtetë ndërsa është film i tretë që është shkruar nga vetë ai. Skenari i Nolan është i gjatë vetëm 76 faqe. Christopher Nolan e pati idenë për realizimin e këtij filmi pas një udhëtimi me gruan e tij në vitin 1992 në të njëjtin itinerar që bënë edhe forcat aleate në vitin 1940.
Muzika e filmit mban firmën e njërit prej kompozitorëve më të famshëm të filmave, Hans Zimmer duke shënuar në këtë mënyrë bashkëpunimin e gjashtë midis tij dhe regjisorit. Më parë të dy kanë bashkëpunuar në filmat “The Dark Knight”- triologjia, “Inception” (2010), dhe “Interstellar” (2014).
“Dunkirk” është shfaqur premierë më 13 korrik 2017 në Londër ndërsa do të fillojë projeksionet në kinematë amerikane dhe britanike me 21 korrik. Filmi pritet që të arkëtojë 55 milionë dollarë në fundjavën e parë të projeksioneve ndërsa brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës mendohet të arkëtojë 220 milionë dollarë.
Skeda e filmit
Titulli: Dunkirk
Regjia: Christopher Nolan
Skenari: Christopher Nolan
Aktorë: Fionn Whitehead, Kenneth Branagh, Mark Rylance
Kohëzgjatja: 106 minuta
Gjinia: aksion, Dramë, Histori
Sinopsi: Ushtarë aleatë nga Belgjika, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Franca të rrthuar nga ushtria naziste evakuohen gjatë një beteje të ashpër në Luftën e Dytë Botërore.



















