KreuBusull

Përralla e ditës: “Në jugun shqiptar mjaftojnë 500 euro, për 7 ditë plazh…”

Sara Gurabardhi

Skena gjigante e komedisë është ngritur momentalisht në Amerikë, por ne, shqiptarët, vështirë të qeshim. Çfarë mund të na bëjë më tepër përshtypje, kur humori është pjesë e përditshmërisë së jetës tonë? Themi çdo ditë “tallen [politikanët] me ne”, dhe kështu lëmë të shkojë edhe një ditë, duke u ankuar për shumëçka, përfshirë këtu, rrogat minimale.

Dhe ja, e kaluam dhe këtë, se jemi mësuar. Jemi pjesë e një komedie masive, e për këtë kujdesemi jo vetëm ne vetë, por edhe politika, ashtu sikurse edhe media. Se për shembull, rastis të dëgjosh në lajmet e orës 3.30, në një nga dy televizionet më të mëdha në vend, një kronikë mbi reportazhin e France 2 për jugun shqiptar. Lumturohesh disi, edhe pse bukuritë e Shqipërisë nuk kanë lënë vend e vit pa u reklamuar. Vetëm pas pak sekondash, e gjen veten duke dëgjuar përrallën aq mirë të servirur, që rrëfen se dy francezë deklarojnë që në jug mund të kalohet një javë, me vetëm 500 euro. Vazhdon kronika dhe më tej, e informohesh se tek kjo shifër, përfshihet jo vetëm bileta e avionit Francë-Shqipëri-Francë, por edhe hoteli, qendrimi në plazh, ushqimi, marrja me qera e një makine/anije, si dhe argëtimi në orët e vona të natës.

Fillimisht mendova: ose një staf i tërë televizioni ka qenë i dehur, ose francezët kanë kaluar një javë nën efektin e ndonjë lënde narkotike, shumë lehtë të gjetshme në Shqipëri. Por, me ndihmën e internetit, zbulon se (të paktën) një portal shqiptar përrallis të njejtën gjë. Fillimisht, titulli i shumë përhapur “Shqipëria, vendi turistik më i lirë për pushime” është thjesht një gabim i rëndë, për aq kohë sa vjen nga (vetëm) dy FRANCEZË. Të mos flasim për diferencën e rrogave mes dy vendeve, se do të mbetet në rangun e thashethemeve të të emigruarve të fisit. Por, ja që pagat ende mbeten të pakrahasueshme, dhe përcaktimi si “vendi më i lirë” vazhdon të jetë krejt i papërshtatshëm. Së dyti, ashtu sikurse themi vetë “mirë të na bëhet”, le ta pranojmë: të gjithë e kemi prekur jugun, kush më shumë, e kush më pak. Më vjen çudi që, deri më sot, nuk dëgjova askënd duke mos u qarë për çmimet skandaloze; përkundrazi, veshët më kanë zënë vetëm: “dhoma 80 euro për natë”, “kanaçet me pije më shtrenjtë se dy pjata me ushqime”, “kot të shkosh, se në darkë argëtimin e shijojnë veç fëmijët e milionerëve” etj.

Ky është realiteti, dhe jam dakort që media transmeton atë çka ka deklaruar televizioni francez. Por, a nuk ishte po media që jo pak herë, kur i interesoi, i vuri në dukje çmimet stratosferike? Nëse servirja e një komedie të tillë, na vjen si një grusht hi i hedhur syve, atëherë, po ju informojmë: kemi parë boll, që me ardhjen e demokracisë! Ata francezët, që na i përmendët çdo tre rreshta, kanë një perlë si Kana, po në jugun e atdheut të tyre, që ofron luks, por edhe çmime të përballueshme. Nëse një të ri shqiptar e zë frika të dalë për t’u argëtuar mbrëmjeve, aty, në Kanë, në vendin ku shkelin yje e VIP-a botërorë, mos u habisni nëse paguani vetëm 7 euro për kokteil, gjatë ‘happy hour’ (që zgjat rreth tre orë pasditeve). Ah, po. Dhe restorantet ofrojnë çmime më të lira se jugu jonë, dhe vendet në plazh janë të ndara, për ata që e përballojnë pagesën e shezlongut, dhe ata që zgjedhin të rrinë të lirë shtrirë në rërë (alternativa me pak fjalë, se ne shqiptarët njohim vetëm ulëset e të pasmeve me pagesë në bregdet).

Por, ndoshta na pëlqen më shumë të na e hedhin sy për sy, për aq kohë sa, aq sa kemi parë, nuk kemi arritur ta prodhojmë për të mirën e vetes deri më tani. Dhe mos prisni më! Rrëmbeni çantat e plazhit, merrni borxh 500 euro, dhe shkoni një javë në jug. E ju sigurojmë, që do të ktheheni të lumtur, për të aplikuar për kredi në bankën më të afërt. Nxitoni! Ofertë e limituar…!

Tags:

Home Dossier

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF