Intervistoi Tea Kola
Fotografia Fani Aliko
Klaidi Sahatçi, violinisti me famë botërore është koncertmaestri i parë i Orkestrës Tonhalle në Zyrih i cili luan solo, muzikë dhome dhe është gjithashtu edhe një profesor i njohur muzike në Zvicrën italiane. Artisti i apasionuar që në fëmijëri pas muzikës klasike ka një karrierë të pasur e të suksesshme në skenat ndërkombëtare të Europës dhe botës.
Në këtë intervistë për Bordo.al, violisti rrëfen dashurinë e madhe për muzikën, e cila u shpreh përmes instrumentit të violinës, tashmë me një Stradivari të çmuar të vitit 1719. Arsyeja pse Klaidi vjen në Tiranë në këtë fund shtatori është një koncert për publikun shqiptar i cili rezervon shumë surpriza në pjesët që artisti do të luajë, duke rikthyer në vëmendje për të gjithë muzikën e njohur shqiptare të përpunuar nga kompozitori Aleksandër Peçi. Sahatçi tregon për Bordo.al gjithë emocionet e skenave më të mëdha, kritikat, paragjykimet dhe momentet më të mira të jetës profesionale, eksperiencën sfiduese në mësimdhënie dhe projektet e reja profesionale. Dashuria për violinën është trashëguar edhe te djali i tij 11-vjeçar, Aleksandri. Klaidin dhe pianisten Merita Rexha i takuam në Universitetin e Arteve, teksa bënin provat, përpara koncertit. Për të gjithë të apasionuarit ndaj muzikës klasike, ju ftojmë të ndiqni koncertin e mjeshtrit Klaidi Sahatçi ditën e nesërme në ora 19.00 në Universitetin e Arteve…
Kur nisi dashuria për muzikën e violinën dhe pse zgjodhët pikërisht këtë instrument muzikor?
Dashuria paraprakisht ka nisur me muzikën sepse prindërit e mi sidomos im atë duke parë aftësitë e mia, talentin dhe veshin në muzikë vendosi që të më jepte një instrument muzikor dhe zgjedhja është bërë nga një profesor, nuk ka qenë zgjedhja ime. Ndryshe nga tani që fëmija pyetet çfarë instrumenti do që të studiojë, bëhet fjalë për vitin 1978 kur shkova me tim atë tek shkolla muzikore, takuam një profesor i cili më pa nga duart e më tha “Me që i ke duart e vogla është mirë që të zgjedhësh violinë. Ishte zgjedhja e të tjerëve, megjithatë për mua ka qenë kënaqësi dhe isha mjaft i ekzaltuar me këtë instrument në dorë, me kuriozitetin e një fëmije. Muzika ishte ajo që doja të bëja, pastaj instrumenti ishte mjeti shprehës, u zgjodh rastësisht, por nuk ishte një zgjedhje e keqe se dola mjaft mirë.
U përshtatët shpejt me këtë instrument?
Si çdo njeri që do të marrë një instrument, fillova me studimin dhe u përshtata. Ndonjëherë nuk e di në jetën tënde se kush mund të jetë më e mira: pianoja, klarineta ose trombeta dhe kur je më i madh në moshë mund të thuash se mund të kisha bërë më mirë një instrument tjetër, por në fundit të vazhdon të jesh i lidhur me atë që je. Dashuria për muzikën lindi nëpërmjet instrumentit të violinës.
Gjatë karrierës suaj të pasur artistike duhet të keni ndërruar shumë violina, apo jo? Po violina me të cilën luani tani, a ka një histori apo rëndësi të veçantë për ju?
Mund t’i kem rënë disa violinave, pastaj kam provuar edhe violina të cilat për arsye të ndryshme nuk më kanë kënaqur, ose kam luajtur me to përkohësisht, por përmend disa dhjetëra violina. Violina që luaj tani është e bërë nga mjeshtri i madh Stradivari dhe i përket një periudhe të vitit 1719 ku Stradivari ka bërë violinat më të mira të jetës së tij. Kjo quhet “Periudha e Artë” nga 1710-1720, periudha në të cilën janë realizuar violinat më të mira.
Po një koleksion violinash, a keni?
Nuk jam pasanik, nuk mund të them se kam një koleksion, por janë violina të blera të fillimit të viteve ‘900, janë violina italiane të viteve 1927-1929. Unë jam shumë i apasionuar pas këtyre instrumenteve dhe kur mundem i blej. Ndonjëherë ja jap edhe studentëve, përkohësisht. I jap mundësinë të luajnë me to për një periudhë të caktuar kohore.
Çfarë ju sjell në Tiranë në këtë fund shtatori? A keni një arsye të veçantë?
Këtë herë në Tiranë vij me shumë kënaqësi, i ftuar nga kompozitori i njohur Aleksandër Peçi. Ishte nisma e tij, meqë kisha luajtur paraprakisht me pianisten Merita Rexha Tërshana rapsodinë e tij koncertante për violinë e piano në pianodrom para disa vitesh. Kompozitori ishte i kënaqur me rezultatin dhe vendosi që ta sjellë edhe me orkestër. Për punimin me orkestër ai u bë nismëtar që ta sillnim me orkestrën e radio-televizionit ku marrin pjesë të njëjtët protagonistë në orkestër dhe Sokol Tota si menaxher i orkestrës. Kam ardhur për të luajtur rapsodinë koncertante të Aleksandër Peçit, si dhe do luaj një pjesë unë me orkestrën të Saint-Saens që quhet Introduktion dhe Rondo Capriccioso.
Çfarë surprizash premton kjo shfaqje për publikun shqiptar?
Surprizat do të jenë jo më shumë për Saint-Saens, një pjesë e njohur dhe e vlerësuar, surpriza mund të them se do të jetë për muzikën e Peçit me motivet që ne njohim. Janë motive popullore si “Bilbili me vesë”, ose “Valle e rëndë burrash”, motive nga këngët e Vaçe Zelës. Janë që të gjithë artistë me të cilët Peçi ka punuar në karrierën e tij dhe surpriza është përpunimi orkestral që ai ka bërë. Publiku do të ketë mundësinë që të dëgjojë diçka të njohur, por të shprehur në mënyrën bashkëkohore të kompozitorit Aleksandër Peçi.
Pra, do të riktheni në vëmendjen e publikut muzikën shqiptare?
Po, muzikë shqiptare të përpunuar si muzikë e kultivuar me elemente të muzikës bashkëkohore, mund të jenë edhe disonanca të cilat për mendimin tim mund t’i japin një pasuri kësaj vepre.
Si është të luash muzikë në skenat më të mëdha të botës dhe si ndiheni kur merrni vlerësimet maksimale të kritikëve të rëndësishëm të muzikës botërore?
Në fillim fare, kur isha i ri kjo gjë më bënte një efekt më të madh. Kam pasur më shumë frikë kur isha pjesë e skenave më të mëdhaja, ngaqë dija historinë se kush ka luajtur aty dhe publiku që është shumë kërkues e njohës i mirë i pjesëve të bën që të ndjesh presion. Me eksperiencën dhe me moshën jam mësuar dhe kam kuptuar se ne mund të luajmë në të njëjtën mënyrë në të gjitha skenat. E rëndësishme është që të sjellim profesionalitetin dhe frymëzimin tonë. Unë mundohem që të luaj njësoj si në Tiranë, edhe në Berlin ose Tokio. Kjo të bën të mbash një disiplinë dhe nivel të lartë. Në qoftë se kritikat janë realiste dhe ndihmëse, ne si artistë reflektojmë mbi to dhe mund të na ndihmojë edhe për ato që ne nuk i shohim. Janë elementë që na ndihmojnë për të pasuruar dhe modifikuar interpretimin. Ndodh që ka edhe kritika ofenduese. Ka kritikë të huaj që kanë paragjykime që ti vjen nga një vend i vogël e i pafuqishëm, ose që nuk e kemi traditë muzikën klasike si Gjermania ose Italia. Nuk janë të shumtë, por paragjykimi ekziston. Ne si instrumentistë shqiptarë të vendeve të vogla na duhet të tregojmë jashtëzakonisht më tepër zotësinë tonë ndaj këtyre njerëzve.
A keni të fiksuar në memorie një moment në të cilin këni përjetuar një emocion të fortë gjatë shfaqjeve?
Po, ka momente të ndryshme gjatë shfaqjeve: Festivali “Different Trains” kam pasur momente nga më të mirat e karrierës sime, përmend një nga koncertet më të mira që kam bërë me Meritën kur kemi luajtur Sonatën e Shtrausit, CD-ia ime “Albanian Memories” me pianisten Dhurata Lazo ka qenë një arritje e jetës sime me këto pjesë të muzikës shqiptare. Kjo më ka sjellë shumë kënaqësi sepse e kemi realizuar me forcat tona dhe ja kemi dalë. Janë edhe shumë koncerte të tjera edhe me orkestrën dhe me një dirigjent të madh, me të cilët arrin një kulminacion të cilin si solist nuk e arrin dot. Unë i kam rënë violinës edhe në burg, në Itali me kolegët e mi të Scala-s. Kemi luajtur për të burgosurit dhe kjo ka qenë një nga eksperiencat më interesante të jetës sime. Përpara këtij publiku të pazakonshëm, nga njëra anë luaja e nga ana tjetër kisha shumë mendime në kokë. Mendon që këta njerëz kanë bërë një gjë jo të mirë në jetë dhe ti luan muzikë për shpirtin e tyre. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme ku u ndjeva si mjek e si psikolog.
Si ka qenë eksperienca e mësimdhënies suaj në Universitet? A janë të rinjtë sot të prirur drejt muzikës klasike?
Unë jap mësim në Zvicrën italiane, në Lugano. Kam studentë nga shumë shtete, sidomos nga Italia. Mësimdhënia për mua është një sfidë, por edhe diçka që kam nevojë të bëj, duke u shpjeguar të tjerëve vë nganjëherë në dyshim edhe bindjet e mia. Mundohem që studentët t’i përgatis jo vetëm teknikisht e muzikalisht, por t’i formoj edhe si njerëz. I jap eksperiencën time nga një vend i vogël e pa gjëra luksi, se si ne kemi arritur karrierën me thonj e shumë vështirësi. Njeriu në momentë të vështira arrin të gjejë forcat më të fshehura në vetvete. I them gjithmonë studentëve të gjejnë forcën për të kaluar kufirin. Në Itali kanë akoma shumë interes për muzikën klasike. Ata janë të vetëdijshëm që kanë diçka speciale. Kjo është një muzikë e kultivuar që duhet të ulesh e të mendosh, të bësh njëfarë refleksioni. Jo të gjithë duan ta bëjnë këtë gjë, vetëm të privilegjuarit, jo të gjithë të rinjtë e pëlqejnë këtë gjë, por ne e bëjmë të aksesueshme nga të gjithë.
Cilat projektet tuaja të tjera profesionale pas shfaqjes në Tiranë?
Pas këtij projekti kam një recital në jug të Italisë me një pianist i cili është njëkohësisht edhe miku im, Augusto Narducci ku do të luaj pjesë që nga Bah-u, tek Moxart, Bethoven dhe Saint-Saens. Më pas edhe projekte me orkestrën, si dhe shumë projekte muzikë dhome në trio ku do të luaj kompozitorë zviceranë. Kam edhe një projekt tjetër me Shuman dhe Kazela i cili është kompozitor italin i 900-ës, kam shumë projekte interesante me muzikën e 900-ës.
Çfarë aktivitetesh të tjera preferoni përveç violinës dhe muzikës?
Zanati që bëj është shumë zanat i bukur, këtë bukuri e kam zbuluar me kalimin e kohës, sidomos rreth të tridhjetave. Muzika më thith shumë kohë të gjithë jetës. Megjithatë, jam munduar që të kultivoj edhe pasione të tjera. Një prej tyre, si të gjithë meshkujt, është futbolli. Mundohem që ta ndjek me sa kam mudësi. Do të më pëlqente që të bëja edhe një zanat tjetër, për dhjetë vjet të isha fizik nuklear apo astronaut, të bëhesha gazetar ose mësues filozofie në universitet. Këto gjëra më tërheqin sumë por e di se me gjithë këtë volum pune që kam nuk mund t’i realizoj dot, por ngelen si ëndërr. Jeta e sotme, nganjëherë edhe nuk ta lejon këtë gjë e këtë luks, sidomos kur ke edhe një familje.
Na zbuloni edhe diçka mbi familjen tuaj
Familja është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime. Jam i martuar prej 25 vitesh. Ime shoqe është një violiniste nga Milano, ne jemi njohur në Konservatorin e Milanos. Kam një djalë të vetëm, Aleksandrin 11-vjeçar i cili studion edhe violinë edhe piano. Ka marrë të njëjtën rrugë si ne dhe po shkon shumë mië, ka marrë shumë çmime. është shumë shpejt për të folur për një karrierë muzikore, por nuk dua ta detyroj të bëhet muzikant. Do ta lë të zgjedhë ai nëse i pëlqen muzika, sepse është një rrugë e vështirë dhe e gjatë.



















