KreuBusull

Regjisoret e teatrit që spikatën më së shumti këtë vit

Edhe pse një fenomen i gjetur më rrallë në fushën e kinematografisë, teatri ka sjellë në qendër të vëmendjes jo pak regjisore, disa prej të cilave kanë qenë aktive më shumë nga ç’e kemi menduar në të vërtetë. Ky vit nuk ka mbetur mbrapa për sa i përket shfaqjeve, duke ngjitur kështu në skenën teatrale emra të njohur, por edhe ata të rinj që kanë patur mundësinë të performojnë për herë të parë për publikun. Edhe pse 2017-a nuk është mbyllur ende, mund të rendisim pa frikë disa nga regjisoret më aktive në teatër, shumica prej të cilave po punojnë për projekte të reja në vijim. Kush ishin emrat që spikatën më së shumti këtë herë?

 

Driada Dervishi

E lidhur ngushtë me aktoren Olta Daku, një nga emrat dallues në shfaqjet e Dervishit, kjo e fundit solli monodramën e parë për aktoren, pikërisht në skenën e Teatrit Aleksandër Moisiu në Durrës. Përshtatje e dramës angleze me po të njejtin titull, “Shirli Valentina” erdhi në vëmendjen e publikut në qershor të këtij viti. Nuk do të mungonte shumë, kur në të njejtin muaj, regjisorja t’u prezantonte me “Kandeli i Argjendit” të Martin Camaj, gjatë ciklit ‘Netët e leximit të dramës shqipe 3’. Nën interpretimin e Rajmonda Bulkut, Olta Dakut, Sokol Angjelit, Lulzim Zeqjes, Neritan Liçaj etj, Driada mesa duket ishte afeksionuar edhe më shumë me prezantimin e një vepre të tillë, pasi siç dhe ajo është shprehur vetë: “Pa dramë shqipe nuk ka identitet kombëtar!” Së fundmi, Dervishi do të nisë rrugëtimin me Teatrin e ri të Korçës, ku do të performojnë vetëm figurat femërore. Rajmonda Bulku dhe Olta Daku bëhen dhe një herë pjesë e përzgjedhjes së regjisores, ndërsa Yllka Mujo, Zamira Kita, Merita Cocoli e të tjerë emra të rinj të botës së aktrimit, do të ngjiten së bashku në skenë për t’i dhënë jetë komedisë me nota muzikali, “8 femra”. E njejta shfaqje do të vijë edhe për publikun e Durrësit dhe Tiranës, në sallat e teatrove përkatëse.

 

Elma Doresi

Aktiviteti artistik i regjisores këtë vit, nisi në prill, pikërisht me komedinë e Viktor Eftimiut, “Njeriu që pa vdekjen në sy”. Skena e Teatrit të Vlorës mblodhi emra, si: Artan Islami, Jorgaq Tushe, Eliona Thomaraj etj, e kjo nuk do të mbetej me kaq. Në po të njejtin muaj, shfaqja do të vinte edhe për publikun e Tiranës në Teatrin Kombëtar, e ndoshta ky ishte një ogur i mirë për atë çka pritej të surprizonte pak kohë më vonë Doresin. Festivali Ndërkombëtar i Teatrove “The Silk Road”, në qytetin Xian të Kinës, do të përzgjidhte dy nga veprat e ngjitura në Teatrin Kombëtar, gjatë periudhës 2016-2017 – “Zbutja e Kryeneçes”, një nga shfaqjet më të suksesshme të Elmës, pati fatin të merrte rrugëtimin për të prezantuar Shqipërinë në sytë e publikut kinez. Lulzim Zeqja, Klod Hoxha, Genti Deçka, Adelina Muça etj, ishin aktorët që dalluan për performancën në përshtatjen e kësaj vepre të Shekspirit. Një eksperiencë kjo, që i lë shumë pak vend harresës.

Andia Xhunga

Shkurti do të ishte muaji më aktiv për Andian si regjisore, pasi pjesëmarrja si aktore në shfaqje të ndryshme, jo vetëm që nuk ka munguar, por ka bërë që të jetë pjesë e kastit të “Zbutja e Kryeneçes” të Doresit. Muaji i dytë i këtij viti do të sillte për publikun e Tiranës tragji-komedinë e Orkeny Istvan (njëkohësisht një nga kryeveprat e hungarezit), “Familja Tot”. Në fakt, ky ishte një rikthim i veprës në Teatrin Kombëtar, e të gjithë fanatikët e botës teatrale patën mundësinë të shohin interpretimin e shkëlqyer të Ndriçim Xhepës, Bujar Asqeriut, Olta Dakut, Suela Konjarit, Indrit Çobanit etj. Një eksperiencë e tillë u përkrah nga shumë kolegë dhe figura të njohura të ekranit, të cilët e mbështetën Andian në rrugëtimin e saj si regjisore.

Najada Elmazi

Ndryshe nga eksperienca e studiove televizive, Najada Elmazi nuk e lë mënjanë as dashurinë për teatrin. Edhe pse e kemi parë jo pak edhe në rolin e aktores, Elmazi këtë vit dalloi me përshtatjen e komedisë së Peter Shaffer, “Komedi në errësirë”. Regjisorja zgjodhi skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, duke sjellë në kryeqytet frymën e ngjarjeve të Londrës së 1960. Ndër tetë aktorët që përjetuan emocionet e interpretimit, dallonin emri i Gentian Zenelaj, Marjana Kondit, Laura Nezhës, Laert Vasilit etj. Fillimi i qershorit ishte periudha në të cilën Elmazi solli figurën e saj në qendër të vëmendjes si regjisore teatri.

Tags:

Home Dossier

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF