Pasioni për radion ka ardhur fillimisht si dëgjuese e radiove të para private në Shqipëri
Nga Olsi Kolami
Për të gjithë Julka Gramo është një nga zërat më të dashur radiofonike. Me një karrierë të gjatë në radio dhe muzikë, ajo tregon se pasioni për radion nisi vite më parë, kur ishte vetëm një dëgjuese e rregullt e radios. Ka kohë që është tërhequr nga muzika për shkak se familja e saj është bërë e madhe dhe tok me bashkëshortin Andi DJ, si prindër të dy vogëlushëve i kanë dhënë atyre përkushtimin maksimal. Julka tregon për pasionin dhe dashurinë e pafund për radion, ndjesitë si mama dhe planet për të ardhmen…
Si ka nisur pasioni për radion?
Në fakt pasioni për radion ka ardhur fillimisht si dëgjuese e radiove të para private në Shqipëri, e mandej me krijimin e NRG 13 vite me parë u zmadhua aq shumë saqë u shndërrua edhe në profesion.
E mbani mend herën tuaj të parë para mikrofonit?
Hmm… Po që nuk e bëj dot ndarjen? Me siguri ka qenë shumë vite më parë, tek Radio One (ndoshta radio e parë në Tiranë asokohe) ku shkova si fituese e quizzeve radiofonike në emisionin që bënte Saimir Kodra. Por atëherë radio ishte shumë e thjeshtë, në katin e fundit të selisë së njërës prej partive politike… Mbaj mend që kjo më bëri shumë përshtypje. Eksperiencat e mia në radio sikurse thashë kanë qenë fillimisht si dëgjuese. Rrija pas telefonit që të futesha në studio live e pastaj të bashkëbisedoja me prezantuesit dhe të këndoja çdo here nga një këngë festivalesh.
Si është për ju ndjesia e të qënit nënë, sidomos për herë te dytë?
Është një ndjesi e mrekullueshme, të cilën po e përjetoj akoma me më tepër intensitet. Të jesh nënë padyshim që është rraskapitëse, por lumturia që merr në këmbim është e jashtëzakonshme. Çdo lodhje apo mërzi e ditës të zhduket si me magji kur je pranë të vegjëlve të tu. Të mbushet shpirti plot dhe këtë nuk e them në mënyrë figurative.
Si e ndan kohën mes radios dhe impenjimeve personale?
Me thënë të drejtën të qenurit në NRG ma ka lehtësuar shumë impenjimin tim në jetën personale. Duke mos qenë një punë me orar strikt (përveç atij të transmetimit) e organizoj ditën mjaft mirë dhe nuk jam e detyruar të paraqitem në orën 7 të mëngjesit në punë (përveç rasteve që kam transmetim). Radio Energy, kolegët dhe mami im ma kanë bërë shumë të lehtë marrëdhënien personale-profesionale.
Si e shikoni sot ndikimin e radios, krahasuar me fillimet tuaja? A është zbehur?
Në gjithë këto vite radio ka pasur shkëlqime e zbehje krahasuar me televizionin. Sigurisht që radioja më parë ka qenë e vështirë të ndiqej non stop, pasi mund të ndiqej vetëm nëpërmjet aparatit të radios dhe duhej të rrije pa lëvizur deri sa të përfundonte programi yt i preferuar. Tani kohët kanë ndryshuar. Fatmirësisht mund të dëgjosh radio kur je në shtëpi, kur je duke udhëtuar me makinë, kur je në punë duke punuar, kur je jashtë kufijve, kur pushon, e kështu me radhë… Tashmë radioja ka marrë përmasa më të mëdha. Radioja është një mik me të cilin zgjedh të kalosh orë nga dita jote ndërkohë që bën edhe aktivitete të tjera.
Gjithsesi një element që mua më ka tërhequr tej mase nga radioja më parë që nuk para gjendet tani është misteri dhe anonimati i personave që flisnin në mikrofon. Më parë e imagjinoje atë që fliste (njësoj siç imagjinojmë personazhet e përshkruar nëpër libra) kurse tani të gjithë personat që punojnë në radio njihen edhe me figurë.
Cilat janë ndjesitë kur je para mikrofonit?
Dashuri! Padurim për të komunikuar me persona që nuk i njeh personalisht, por i ke miq të mirë pasi kalon orë të ditës me ta. Argëtim pasi veç të tjerash kam një koleg, Arjon Muca, batutat e të cilit nuk kanë fund dhe situatat e lezetshme që krijohen me komunitetin tonë nuk kanë të sosur. Përkujdesje dhe përkushtim për të gjithë ata që na ndjekin. Nëse dikush vjen i mërzitur në You&Me (një nga programet që bëj aktualisht nga e hëna në të premte 14:00-16:00) nuk ka shanse të largohet prej andej pa buzëqeshje dhe energji pozitive. Gëzim i brendshëm që nxitet nga muzika e bukur që dëgjon çdo ditë dhe dinamikat që krijohen në program. Thënë këto, sigurisht që ka edhe ditë gri kur duhet të lësh gjithçka jashtë derës së transmetimit por që çuditërisht gjallërohesh e bëhesh plot ngjyra sapo fillon e flet në mikrofon. Radio është dashuri!
A do të ktheheni sërish në tregun muzikor me një projekt?
Nuk kam një mendim konkret, por nëse do të ndodhë do të jetë thjesht për kënaqësi personale.
Dashuria për këngën ka nisur paralelisht me radion? Cila është e preferuara juaj?
Në fakt dashuria për këngën ka qenë më e hershme se ajo për radion. Për shumë vite ka qenë padyshim kënga më e preferuar, por tashmë mund të them me bindje që do e ketë shumë të vështirë të rihipë sërish në vend të parë të klasifikimit, pasi të bërit radio me ka bërë për vete kokë e këmbë.
Këngët e preferuara i dëgjon në radio apo i sheh në TV?
Në radio me kufjet e transmetimit. Në radio teksa ndodhem në makinë. Në radio me kufje teksa jam duke shëtitur në këmbë…
Cilat jane planet tuaja për të ardhmen?
Radio Energy është zhvendosur në ambjente të reja ndaj, pas një periudhe shkëputjeje me zor po pres të rifillojmë programet. Ndërsa personale? Kam në plan të jem një nënë prezente në jetën e bijve të mij. Ndaj kam në plan të kaloj sa më shumë kohë me ta.
Botuar në revistën BORDO, Pranverë 2016










Bella Hadid rikthehet me The Weeknd?!







Modelja e njohur në pritjen e ëmbël!


Van Damme, shqiptari kundër serbëve!
