Të enjten e fundit të muajit nëntor, amerikanët festojnë Falënderimet, një festë kombëtare që mbledh familjet rrotull tryezës, dhe siç e do zakoni, rreth një gjel deti të pjekur.
Edhe presidenti i SH.B.A.-ve nuk feston më ndryshe, por Donald Trump ka vendosur të devijojë nga tradita ditën e djeshme, kur përdori fuqinë e tij si President, për të falur dy gjela deti në ngjyrë të bardhë që do të gatuheshin në nder të tij. Edhe bashkëshortja Melania Trump dhe djali Barron iu bashkuan presidentit në ceremoninë e faljes.
Faljet formale të gjelave të detit nisën me presidentin George H.W. Bush në vitin 1989, megjithëse ka të dhëna të të njëjtit veprim, që nga koha e Abraham Lincoln-it.
Dy gjelat, quajtur Drumstick dhe Wishbone (21 kg dhe 16 kg respektivisht) tashmë do të jetojnë pjesën tjetër të jetës në një fermë në Virginia.
Ndonëse publiku amerikan u pyet në një sondazh se cili gjel deti do të falej, dhe publiku zgjodhi Drumstick-un, të dy gjelave iu është falur jeta.
Megjithatë, çfarë do të hajë presidenti Donald Trump këto Falënderime? Nuk i dihet!