Edhe pse 28 dhe 29 nëntori janë festa kombëtare, një pjesë e mirë e shqiptarëve preferojnë që t’i kalojnë ato jashtë vendit ato. Agjencitë e udhëtimit kanë treguar për revistën “Monitor” se kërkesa për pushime jshtë vendit vjen çdo vit në rritje.
Rajoni konsiderohet si destinacioni më i preferuar për shqiptarët për festat e nëntorit. Prenotimet më të shumta kanë qenë për Malin e Zi, për të cilin operatorët turistikë pohojnë se “janë mbyllur që një javë më parë”. Ndërsa Maqedonia, Greqia, Turqia, por edhe Italia konsiderohen të tjera destinacione të preferuara dhe të kërkuara këtë vit.
Pjesa më e madhe e prenotimeve u bënë rreth një muaj më parë, gjë që ndikoi për të përfituar çmime më të lira. Operatorët turistikë tregojnë se, prenotime ka pasur në nivele shumë të kënaqshme, edhe pse, ndryshe nga viti i shkuar që ishin 4 ditë pushim, këtë vit janë veçse dy të tilla. Ata shtojnë se oferta të tilla tërheqëse nuk u ofruan nga vendi ynë, ndaj rajoni duket më konkurrues, sidomos me paketat e çmimeve të favorshme.
Agjencitë tregojnë se tre kanë qenë udhëtimet, të cilat që në momentin e listuar në faqe apo shpërndarë në rrjete sociale kanë marrë vëmendje dhe kërkesa të larta: riviera Mal i Zi 24 – 26 Nëntor; turi 5 ditor Selanik-Stamboll 24-29 nëntor, si dhe Strugë-Ohër, pikërisht në dy ditët e festave 28-29 nëntor. Në udhëtimet dy ditore në rajon kostot varjonin nga 40-80 euro personi, turet me autobusë (për në Greqi ose Turqi) arrijnë deri në 150-250 euro personi. Ndërsa udhëtimet e prenotuara me linja avioni (jo tranzite), kryesisht për në Itali, Roma, Milano janë prenotuar më herët me rreth 170- 220 euro.
Një tjetër agjenci tregon se më te preferuarat të prenotuara kanë qenë udhëtimet me guidë për Festat e Nëntorit. Edhe sipas tyre, rajon kryeson në preferencat e shqiptarëve, në udhëtime që janë kryesisht me kosto të ulët, theksojnë ata. Sipas tyre, janë prenotuar shumë grupe për: Budva-Ulqin-Kotor, 25, 28 Nëntor , 2 dite 45€; Dubrovnik 24, 27 Nëntor, 3 ditë, €79; Sarajeve – Mostar – Medjugorje 24, 27 Nëntor, 3 ditë, €99; Beograd 24, 27 Nëntor, 3 ditë, €109 (me mëngjes + darkë).
Ndonëse janë vetëm pak ditë pushim nuk mungojnë as destinacionet e largëta. Nga një tjetrë agjenci na tregojnë për prenotimet më “luksoze” që shqiptarët kanë bërë për festat. Sipas tyre, Parisi, 4 ditë për 399 euro me avion, për datat 25-29 nëntor ka qenë një zgjedhje e kërkuar, më pas të tjera të prenotuara janë: Vjenë Pragë Budapest, 25 Nëntor, 6 Ditë, €449 ; Pragë (me avion), 25 Nëntor, 4 ditë, €469 ; Dubai, 25 Nëntor, 5 ditë, €595. Megjithatë, sipas tyre, udhëtime të tilla më kosto më të larta preferohen më tepër për festat e fundvitit, mbase sepse kanë qenë më të pakët ata të cilët mund t’i bënin “bisht” ditës së hënë, 27 nëntor që është ditë pune.



















