KreuCelebrity

Stefi kundër Rudinës dhe gazetarëve: “A nuk ka kritikë arti ky vend?!”

Emisioni i pasdites i Rudina Magjistarit ka mbledhur sot pesë emra ndër personazhet televizivë, ku përfshiheshin Dasara Karaiskaj, Eni Shehu, Orgesa Zaimi, Stela Sallaku dhe Albina Gjergji. Paneli diskutoi në rreth 45 minuta atë se çfarë kishte ndodhur dhe se çfarë do të ndodhte në ‘Kënga Magjike 2017’. Duke qenë se diskutimi qe i gjatë, këtë herë të ftuarit i kanë tërhequr vëmendjen Stefi Priftit, i cili e ka nisur statusin e tij në Facebook me këtë fjali: “A mund të më thotë dikush, ky vend që quhet Shqipëri, a nuk ka muzikantë dhe kritikë arti për të vlerësuar muzikën shqiptare?”

Duke qenë se paneli shprehu mendimet lidhur dhe me aspektin teknik të të kënduarit ‘live’, kjo pjesë në veçanti ka shtyrë Stefin t’i kushtojë disa rreshta gazetarëve të ftuar, si dhe vetë Rudinës. “Si ka mundësi që çdo opinion apo kritikë do ta bëjnë vetëm gazetarët e portaleve? Flasin për produksionet, sikur të ishin karamelka…(sikur të ishin) njohës të notave, harmonisë, ritmeve, teknikës, gjendjes, llojit, ndjesisë, miksimeve, masterizimeve etj.”, ka vijuar Stefi edhe më tej, ndërsa duker disi qartazi që i referohet më së shumti fjalëve të Dasarës dhe Albinës. Dasara u përpoq ta diskutonte me hollësi këtë pjesë, aq sa Orgesa Zaimi filloi një mini-debat mbi faktin se pse nuk duhej që pikërisht ata të diskutonin të tilla probleme teknike.

Stefi, duke theksuar studimin dhe eksperiencën disa vjeçare në muzikë, ka shpjeguar se si ai vetë shpesh rezervohet në opinionet personale apo kritikat. “Këta flasin për stonimet e pafundme: ‘më pëlqejnë stonimet e shumta, sepse tregohet që këndohet ‘live’…!'”, një replikë kjo sërish për njëmendësinë e Dasarës dhe Enit, të cilët folën gjerë e gjatë mbi të stonuarit në skenë, përballimin nga ana e këngëtarëve si Anxhela Peristeri dhe rrëshkitjen në nota tek të tjerë si Fifi. Stefi ka shpjeguar se ky shkrim i tij nuk lidhej me atë çka ato bënin si gazetarë, por ka sqaruar se nuk mund të pajtohet me ndikimin e tyre në publik për këtë pjesë, që këngëtari e ka cilësuar thjesht si ‘vorbull shijesh’.

Stefi nuk i ka kursyer as fjalët për Rudinën: “Së pari (me gjithë respektin që kam) mendoj se ishte një përzgjedhje e keqe e vetë moderatores për këtë analizë”. Këngëtari e ka përmbyllur statusin duke thënë se edhe pse mund të ishte gabim në iniciativën për të shkruajtur disa rreshta lidhur me këtë temë, gjithçka lidhej me faktin se sipas tij, diskutime të tilla dëmtonin një garë këngëtarësh si ajo e “Kënga Magjike 2017”. Ky është i pari reagim nga artistët lidhur me panelin e sotëm tek emisioni i Rudinës, ndërsa duket qartazi se Stefi nuk është aspak i mendimit që gazetarët të ndërmarrin shumë role njëherazi…

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF