KreuBusull

Razma, nuk është legjendë…

Një fundjavë në vendin e eposit të kreshnikëve dhe shtojzavalleve, mes historive të së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes që do zbuluar.

Ditëve të hirta dhe mbrëmjeve të ftohta të vjeshtës, Razma ngjan si e magjepsur. Duket sikur ende ndihet jehona e përrallave të gjalla të eposit të kreshnikëve, teksa rrëfehen mbrëmjeve, ato zbresin si një hije nga maja e malit të Veleçikut, në këmbët e të cilit rri kjo qendër e vogël pushimi. Sot, në vend të trimave e zanave, sheh udhëtarë që vijnë nga e gjithë Shqipëria për të kaluar qoftë edhe një natë të vetme, një eksperiencë e cila mbyllet me frazën: do të kthehemi sërish.


Sapo largohesh nga qyteti i Shkodrës, thuajse në gjysmë të rrugës, hapësirat moderne të komunikimit nisin e ngushtohen, asfalti nis e zbehet, duke u zëvendësuar nga pyjet me pisha që ngjajnë se nuk kanë mbarim. Pas çdo kthine, teksa mendon se do të shfaqet një shtëpi, një tufë delesh, a ndonjë frymë njeriu, udha duket akoma më e gjatë, fundja janë plot 43 kilometra nga Shkodra.
Më në fund në Razëm. Sapo cekim tokën e mbuluar nga bari, gjallërohesh papritur nga një pamje që të mbush plot entuziazëm, ajri që zbret nga bjeshkët të shton dëshirën për të vizituar anekënd çdo hapësirë. Dëshira për të shkelur dhe eksploruar këtë vend mbushur me mistere, legjenda dhe kreshnikë është e parezistueshme.
Klorofili gjallon nga lëndinat e vogla, e deri tek ato të mëdha, duke vazhduar udhën e gjelbër përmes shpateve shkëmbore të hirta që ngjiten deri në qiell. Pishat rrethojnë lëndinat dhe kullotat alpine, një peizazh malor i cili ndërpritet aty këtu nga shtëpizat alpine, apo hotelet e gurta.


Nga një vend i destinuar si kullotë për barinjtë, dikur rreth viteve 1920, aty nisën të ngriheshin shtëpitë e para, vila tipike alpine të ndërtuara me stil italian dhe austriak, një frymë kjo e sjellë nga vizitorët e parë. Ishte botanisti italian Antonio Baldoci dhe austriaku Dolfler, ata të cilët i kushtuan kësaj zone një rëndësi studimore për bimësinë e rrallë. Fill pas kësaj, aristokratët shkodranë, nisën të ndërtonin në Razmë vilat e tyre verore, një mënyrë për t’u larguar nga zhurma e qytetit dhe për të pushuar në një vend të freskët gjatë stinës së nxehtë. Por, kjo epokë e artë, u rrënua me ardhjen e komunizmit, ku regjimi i kohës shtetëzoi pjesën më të madhe të ndërtesave, duke i kthyer në kampe, ndërsa pjesa tjetër u rrënua. Albanologu Theodor Ippen në vitet 1897-1904 për Razmën shkruan: “Prej Kishës e deri në fshatin Vrithë përpjetë mban një orë e gjysëm për tu ngjitur me këmbë dhe vjen një rrafshnaltë e bukur që quhet Razma, mbi të cilën lartësohen dy maja mali, Veleçiku në perëndim dhe Kunora në lindje. Rrafshnalta e Razmës shërben si kullotë, ka lëndina të bukura malore dhe është e pasur me burime…”.
Sot gjithë vëmendja është tek shtëpitë alpine, një pjesë private, ndërsa të tjerat janë kthyer në qendra akomoduese për vizitorët, shumica e të cilave vijnë për të kaluar fundjavën. Edhe pse në pamje të jashtme, shumica e tyre duket sikur kanë të njëjtin stil arkitektonik, në brendësi të secilës gjen dekorin tipik të malësorëve, elemente të frymëzuara nga dizajni dhe historitë e kreshnikëve, ata që kanë mbajtur gjallë për qindra vjet këtë vend të izoluar nga qytetërimi.

Një ditë në Razëm nuk mund të mbyllet vetëm duke kqyrur prej së largu pamjen e rrallë: mund të zgjidhni guidat turistike për të eksploruar zonën, qoftë përmes ngjitjeve më këmbë në zonat e thella apo me biçikletë në zonat më të buta. Më rënien e borës së parë, ju mund të provoni sportet dimërore, të cilat janë lehtësisht të aksesueshme për të gjithë ata që i preferojnë ato. Për të apasionuarit pas gjuetisë, guida vendase ofron gjithashtu një ndihmë të vyer, ndërsa ata që preferojnë hotelin, mund të notojnë në pishinat e brendshme apo të provojnë shërbimet SPA, një formë moderne kjo e përshtatur sipas kërkesave të turistëve.


Sot, në Razëm gjen një akomodim dhe shërbim modern. Hotele dhe restorante për pushuesit, si dhe disa shtëpi ku më së shumti të zotët e tyre ofrojnë gatimin vendas, duke respektuar traditën, por edhe duke zbuluar një thesar të rrallë të kulinarisë shqiptare, shpesh të harruar. Ndërsa dita është e mbushur me aktivitete dhe nata me qetësinë aq të dëshiruar, mëngjesi është një eksperiencë unike. Zgjimi bëhet më herët dhe secili do të thithë ajrin e pastër, ndërsa nga shkrepat e maleve përreth shpërthejnë rrezet e para të diellit. Mëngjesi në verandë është i papërsëritshëm, e sidomos kur tavolina jote nis e mbushet pak nga pak me lloj – lloj ushqimesh: avulli i petullave të sapopjekura ngatërrohet me aromën e mjaltit, reçeleve që ngjyrosin syprinën e drunjtë të dekoruar me qëndisma të bardha e vishnje, e bulmeti që shkrin ngadalë mbi bukën erëmirë.
Por Razma nuk është vetëm kaq: Nuk është ca rreshta hedhur mbi letër, as ca foto shkrepur më shumë nga entuziazmi për t’i postuar në rrjetet sociale. Është emocioni i ethshëm i një destinacioni që do zbuluar, promovuar e vlerësuar. Asgjë nga ato që sheh qoftë edhe nëpër guidat turistike, nuk mund të zbulohet me një vizitë të vetme në Razmë. Ky është një vend që ja vlen të kthehesh, ta vizitosh dhe rivizitosh, sepse çdo herë do të mësosh se ky vend rrethohet nga një bukuri e mistershme, ndaj nuk mjafton një jetë për ta zbuluar…

Shije unike
E ku më mirë sesa pranë zjarrit mund të shijosh një darkë dimërore me aromën e ushqimeve që të fton t’i shijosh në çast. Ka shumë nga ata që për herë të parë kanë mësuar se ka pjata tipike shqiptare që nuk i ka ditur që ekzistojnë, ndaj edhe kjo eksperiencë gastronomike bëhet shumë e veçantë. Nëse zgjedh të darkosh në një shtëpi private, të zotët e shtëpisë të ofrojnë ushqimet tradicionale, ku mishi i qengjit në fërlik është një specialitet i zonës. Mish lepuri, produkte bulmeti të freskëta, turshi dhe ëmbëlsira si petullat dhe revania janë pjesë e menusë. Ndërkohë, hotelet me restorante moderne ofrojnë pjata, në të cilat përpos shijes së rrallë, mund të gjesh edhe emra unikë. Koktej me Drandofila Maragjyl apo çaj i nxehtë mali me barin Luleborë.

Tags:

Home Dossier

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF