Donald Trump ka në plan të njohë Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, ashtu sikurse së shpejti do të bëjë të ditur zyrtarisht lëvizjen e ambasadës amerikane nga Tel Aviv. Kjo ka shkaktuar paraprakisht panik tek amerikanët që jetojnë në Lindjen e Mesme, por edhe pjesën tjetër të popullsisë, pasi pritet që marrëdhëniet të tensionohen më shumë nga ç’duket.
Presidenti pritet ta bëjë lajmërimin zyrtar të mërkurën e ardhshme, e kjo pikërisht në momentin kur po përballet me kërcënimet nga liderët palestinezë dhe jordanezë se lëvizja e ambasadës amerikane do të ketë pasoja të pakthyeshme. Administrata ka shpjeguar se këto vendime vijnë në bazë të këndvështrimit të Trump lidhur me njohjen e Jeruzamelit si qytet i varur drejtpërdrejtë nga shteti izraelit.
“Teksa Presidenti Trump po përballet me vështirësi lidhur me këtë vendim, ai po ndërmerr çdo hap duke marrë parasysh se nuk mund të shmangim një të vërtetë”, ka thënë një nga zyrtarët. Këto lëvizje vijnë në një kohë kur marrëdhënia mes Izraelit dhe Palestinës është shumë delikate, duke marrë parasysh përpjekjet për negociata për paqe. Gjithçka pritet të mësohet më mirë të mërkurën…



















