Këngëtarja me famë botërore, Rihanna, ka humbur një person shumë të afërt për të, i cili është ndarë nga jeta vetëm një natë pasi kishte kaluar mbrëmjen e Krishtlindjes me këngëtaren.
Bëhet fjalë për kushuririn e saj, i cili është qëlluar me armë në Barbados dhe si pasojë ka humbur jetën. Kjo humbje e ka goditur rëndë këngëtaren e cila pak kohë më parë kishte publikuar një sërë fotosh bashkë me kushëririn e saj, duke bërë thirrje që të ndaloheshin krimet me armë.
Tavo Kaissen Alleyne ishte duke ecur në zonën e njohur si Saint Michael, kur është qëlluar me armë nga një person i paidentifikuar ende. Për vdekjen e 21- vjeçarit, autoritetet lokale janë shprehur se janë duke vijuar hetimet.
“U prefsh në paqe kushëri, kurrë nuk kam besuar se do të ishte hera e fundit që do të ndieja ngrohtësinë e trupit tënd. Do të të dua gjithmonë!”, shkruan këngëtarja në rrjetin social ku ndiqet nga 56 milionë persona në të gjithë botën.



















