Pa frikë mund të themi se ky dimër ka qenë ai i fejesave. Personazhe të shumtë VIP shpallën fejesën e tyre me partnerët e zemrës. E me sa duket një tjetër këngëtare i ka dhënë fund beqarisë. Bëhet fjalë për këngëtaren Kamela Islamaj. Në fakt lajmi u bë i ditur nga shoqja e saj, këngëtarja Orgesa Zaimi.
Ajo postoi një foto në Instagram ku tregon dorën e Kamelës me një unazë, duke shkruar: “Shikoni kush u fejua”. Vetë Kamela nuk ka bërë asgjë të ditur rreth këtij lajmi, ndërsa nuk është ende e qartë nëse bëhet fjalë për ndonjë shkak të Zaimit apo këngëtarja është fejuar me të vërtetë.
Në një intervistë të disa muajve më parë, Kamela ka bërë të ditur se ishte në një lidhje dhe bashkjetonte prej 5 vitesh me Dj italian, Truman. “Prej kohësh bashkëjetoj me të dashurin tim. Ai është DJ dhe dizenjues grafik. Jemi të lumtur, jemi bashkë. Bashkëjetesa është e thjeshtë, sepse unë dhe Truman jemi sa të ngjashëm edhe aq të kundërt. E kemi gjetur të mesmen tonë të artë.” Ndërsa u shpreh se letrat e martesës i “shtinë frikën”. “Nuk e di pse, [martesa] më duket diçka shumë e madhe dhe e vështirë, kurse bashkëjetesa është e njëjta gjë, vetëm se kur martohesh veç sa firmos ca letra. S’e di, letrat më shtien frikën.”, ka thënë Kamela.



















