KreuArt

‘Makbeth’ në sytë e Kled Kapexhiut, regjisori i rikthehet Teatrit Kombëtar me kryeveprën e Shekspirit!

Padyshim një nga kryeveprat e teatrit botëror, historinë e së cilës e njohim pothuajse të gjithë. Nën forcën e pamohueshme të krijimit të Shekspirit, të vënurit në skenë e ‘Makbeth’ është padyshim ëndrra e çdo regjisori. Pas disa vitesh mungesë në fushën e teatrit, Kled Kapexhiu sjell për herë të parë në Teatrin Kombëtar veprën e njohur shekspiriane.

Aktorët e përzgjedhur janë disa nga emrat më të njohur të botës së aktrimit momentalisht, ndërsa mësohet se rolet kryesore i janë besuar Luli Bitrit, si Ledi Makbeth dhe Indrit Çobanit, në rolin e Makbethit. Të tjerë artistë që do të ngjiten në skenë për të interpretuar janë edhe Arben Derhemi, Neritan Liçaj, Laert Vasili, Suela Bako, Egla Ceno, Klodiana Keco etj. Stafi realizues mbart në vetvete figura po aq të njohura të fushës së krijimtarisë në Shqipëri: skenografia do të realizohet nga Genc Shkodrani, kostumografia dhe maskat nga Gerta Oparaku, realizimi i kostumeve mban emrin e Enada At’Nikollës, dhe muzika do të realizohet nga Bled Boraku.

Vepra pritet ta ketë premierën më 24 shkurt, ndërsa vetë regjisori ka shprehur këndvështrimin e tij lidhur me ‘Makbeth’. Sipas Kapexhiut, vrasja është një mënyrë që do ta zgjidhte dikush në shekullin e 16-të për të marrë pushtetin, por sot ka të tjera mënyra për të arritur një qëllim të tillë.  Ai ka shprehur gjithashtu simpatinë për mënyrën se si Shekspiri është përqendruar tek personazhi kryesor: ““Mua më ka pëlqyer përqendrimi që bën Shekspiri tek personazhi kryesor, tek tronditja e personazhit. Te stërmundimi, sfilitja, drama dhe tragjedia personale. Pastaj i kam dhënë dhe një drejtim se si zhvillohet, në çfarë rrethane ndodh kjo tragjedi, ku ky vërtetë është vrasës por dhe ata që vijnë më mbrapa janë po sërish vrasës.” Kapexhiu ka premtuar se ‘Makbeth’ do të vijë i realizuar si një shfaqje mes teatrit antik grek dhe formave bashkëkohorë të të bërit teatër.

Ky është një ndër produksionet më të mëdha të Teatrit Kombëtar, ndërsa gjithçka mbetet për t’u parë në fund të shkurtit. Ndërkohë, regjisori po punon çdo ditë e më shumë me aktorët, për të sjellë një këndvështrim ndryshe të kësaj kryevepre botërore.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF