KreuBusull

Oprah, historia frymëzuese e personazhit që e nisi nga asgjëja, për të arritur miliardat!

Është një nga njerëzit më influencues në botën e medias në Amerikë, dhe jo vetëm. E njohur kryesisht për emisionin e saj The Oprah Winfrey Show, ajo është multibilionerja e parë me ngjyrë në Amerikë, që ka arritur majat e suksesit, duke nisur nga asgjëja. Dhe kur themi ‘asgjëja’, nuk po përpiqemi të ekzagjerojmë diçka…

Emri i saj origjinal në çertifikatën e lindjes është Orpah, sipas figurës së njohur publike, por askush nuk mund ta shqiptonte ndryshe përveçse Oprah. Lindur në Misisipi, nga një nënë adoleshente beqare, Vernita Lee, Winfrey e njihte fare mirë të atin, Vermont, i cili ishte pjesë e Forcave të Armatosura kur Oprah erdhi në jetë. Fill pas kësaj, e ëma u shpërngul në veri, duke ia lënë të bijën mamasë së saj, e cila jetonte në zonat rurale në periferi të Misisipit. Varfëria arrinte aq në ekstrem, saqë Oprah detyrohej të vishej me fustane të sajuara nga lëkurat ë qëruara të patates. Një arsye për ta shndërruar në objekt tallje nga të gjithë, por gjyshja e Winfrey u angazhua plotësisht për të edukuar të mbesën. Kështu, në moshën tre vjeçare, Oprah kishte mësuar të lexonte, madje kisha lokale e kishte cilësuar si ‘Predikuesja’, për aq kohë sa recitonte pa problem çdo vrag të Biblës. Gjyshja e saj ishte mjaft e rreptë, e nëse mendonte se vogëlushja po gabonte diku, ishte e gatshme ta rrihte me thupër.

Në moshën gjashtë vjeçare, Oprah u shpërngul në një lagje në brendësi të zonës, së bashku me mamanë e saj. Angazhimi i saj lidhur me edukimin e së bijës ishte shumë i pakët, ose le të themi fare i mospërfillshëm, kryesisht për shkak të punës me orë të gjata larg shtëpisë. Vernita punonte si pastruese, e si për të mos mjaftuar kjo, solli në jetë tre fëmijë të tjerë, dy vajza dhe një djalë. Vajza e parë vdiq në moshën 43-vjeçare, në vitin 2003, si pasojë e varësisë nga kokaina. Të dytën e dha për adoptim, ndërsa djali ndërro jetë në 1989, për shkak të sëmundjes së SIDA-s. Në mes të gjithë kësaj rrëmuje, Vernita e dërgoi Oprah-n të jetonte me të atin në Nashville. Vernon ishte një njeri strikt por askush nuk mund të mohonte kurajon që i jepte së bijës për të mësuar, ashtu sikurse e shndërroi edukimin e saj në prioritet.

Gjatë kësaj kohe, Oprah u ngacmua seksualisht nga një nga kushurinjtë e saj, xhaxhai, si dhe nga një mik i familjes. Çdo gjë, e përjetuar në moshën nëntë vjeçare. Teksa kishte kaluar çdo eksperiencë të hidhur, Winfrey ishte arratisur nga shtëpia kur ishte vetëm 13 vjeç, ndërsa një vit më vonë mbetet shtatzënë. Djali i saj lindi para kohe, dhe nuk mundi të mbijetonte. Që nga ajo kohë, e deri më sot, Oprah nuk ka lindur më fëmijë…Fillimisht, nisi shkollën në gjimnazin Lincoln, e filla pas disa sukseseve të arritura në këtë institucion, u transferua në një tjetër gjimnaz krejt periferik, të njohur si Nicolet. Më vonë, Winfrey ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe, varfëria i përplasej çdo ditë në fytyrë, që kur niste ditën në autobuzin e shkollës, e deri kur mbërrinte mbrëmja.

Pas jetesës me të atin, jeta e Oprah-s ndryshoi disi. Fitoi një konkurs oratorie, që i siguroi bursë të plotë në Universitetin e Tenesis. Pas kësaj, tërhoqi vëmendjen e radios lokale WVOL, që e punësoi për të lexuar lajmet e shkurtra që transmetonin gjatë ditës. Ky vend pune i siguroi jetesën për rreth tre vite. Karrierën në media e nisi fillimisht si moderatore lajmesh në disa televizione lokale, deri sa në 1978 drejtoi e vetme emisionin ‘People Are Talking’.  Në 1984, Oprah prezantoi emisionin e mëngjesit AM Chicago, i cili nga renditja në vendet e fundit, u klasifikua i pari për shikueshmëri në Çikago. Dy vite më pas, emisioni u shndërrua në The Oprah Winfrey Show, dhe filloi të transmetohej me orë të plotë, në një orar kyç për televizionin. Përpos audiencës, fitimet filluan të rriteshin në çmenduri, çka bëri çdokënd të kthente sytë nga fenomeni Oprah. Që nga ajo kohë, sukseset e saj ishin të njëpasnjëshme, ku mund të përmendim fare mirë bashkëpunimin e saj për çeljen e televizionit kabllor për gratë, Oxygen, shndërrimin e Discovery Health Channel në Oprah Winfrey Network, si dhe kohën e plotë prej 60 minutash, ofruar nga CBS, enkas për Oprah. Winfrey numëron pjesëmarrjen në disa filma, prej të cilëve nuk mund të harrohet performanca në The Color Purple (S. Spielberg), ku Oprah u nominua për Oscar në kategorinë Aktorja më e Mirë Suportuese.

Për sa i përket varfërisë, Winfrey arriti të merrte statusin ‘milionere’ në moshën 32-vjeçare, ndërsa nëntë vite më vonë, numëronte rreth $32 milion pasuri. Në vitin 2000, pasuria e saj arriti deri në $800 milion, duke e bërë kështu të cilësohet si femra afro-amerikane më e pasur në Amerikë. Deri më tani, mendohet se Oprah ka në total të ardhura prej $2.9 bilion…! Numëron më shumë se pesë shtëpi e pasuri të patundshme, ndërsa aktualisht jeton në një pronë marramendëse në Kaliforni. Pas një sërë lidhjesh romantike, por edhe problematike, 1986 e gjeti Oprah-n të lidhur me Stedman Graham, me të cilin nuk u martuan kurrë, por janë ende bashkë që prej vitit të lartpërmendur.

Suporti i saj për një kandidat politik erdhi për herë të parë pas garës së parë të Obama-s për President. Ndër vite, Oprah është cilësuar si një influencuese e jashtëzakonshme për amerikanët në veçanti, ndërsa gjithçka ndryshoi me fjalimin e saj emocionues mbi femrat në veçanti, në Golden Globes 2018. Prej kohësh kërkohej diçka e tillë, por pas asaj nate shumica e vendasve kërkuan që Oprah të hedhë kadidaturën për Presidente në zgjedhjet e ardhshme. Siç mund dhe të mendohej, Trump nuk mbeti pa një reagim, duke ironizuar një mundësi të tillë, edhe pse amerikanët nuk kishin ndërmend të ndaleshin në këtë drejtim. Oprah, nga ana tjetër, e refuzoi këtë kërkesë, duke u shprehur se nuk mendonte se ishte e denjë për realizimin e një posti të tillë…

Një rrugëtim në dukje i pamundur, por i realizuar me sukses, nga një personazh kaq frymëzues si Oprah Winfrey!

Tags:

Home Busull

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF