A iu pëlqejnë mëlçitë e pulës? Nëse jo të gjithëve, me siguri shumicës nga ne i pëlqejnë. Prandaj po ju sjellim një recetë për t’i gatuar ato në një mënyrë ndryshe, e kështu për t’i shijuar edhe më shumë. Një recetë e shpejtë dhe e thjeshtë që do të ishte ideale edhe për darkën tuaj.
Përbërësit: 600 gr mëlçi pule, 1 qepë, 250 gr gjizë, 3 thelpinj hurdhër, 3 domate (ose 3 lugë salcë domate), 4 lugë vaj ulliri, piper të zi, kripë 1 gotë ujë.
Përgatitja: Hidhni në nje tigan vajin dhe qepën e grirë imët dhe lëreni të skuqet, pastaj shtoni mëlçitë të prera në copa të vogla, kur të kenë tharë ujin që lëshojnë mëlçitë hidhni hurdhërën të grirë imët, më pas shtoni domatet të grira imët ose në rende, kur të thahet lëngu i domateve shtoni kripën, gjizën, piperin e zi dhe trazojeni 2-3 herë, më pas shtoni gotën me ujë dhe lëreni të ziejë deri sa të shterojë uji që shtuat ose hidheni në një tavë balte si në foto dhe futeni në furrë 200° për 30 minuta. Ju bëftë mirë.