KreuArt

Kthehet pas 50 vitesh nga interpretimi i parë koncerti për piano e orkestrës i Tonin Harapit!

Datat 2 deri në 5 prill do të sjellin për të gjithë artdashësit një tjetër event kulturor, organizuar nga Fakulteti i Muzikës në Universitetin e Arteve. Në kuadër të vlerësimit të figurave të artit dhe kulturës, do të mbahet një veprimtari përkujtimore në nderim të Tonin Harapit. Cilësuar ndryshe si ‘Chopin shqiptar’, kompozitori ka lënë pas një trashëgimi të tërë veprash për piano e vokal.

Kjo veprimtari, ideuar dhe drejtuar nga Isak Shehu dhe Lorenc Radovani, bën pjesë të vetën edhe studentë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve, si: Anita Tartari, Zana Turku, Artan Liçaj etj. Nata finale do të ngjisë në skenë Merita Rexha Tërshanën me performancën e saj në piano, ndërsa orkestra e UA do të drejtohet nga dirigjenti amerikan, Glen Cortese, për të sjellë së bashku një vepër që i ka munguar gjatë skenës shqiptare. Shkruar pesëdhjetë vite më parë dhe luajtur fillimisht nga Anita Tartari, ky krijim ishte lënë pothuajse krejtëisht në harresë, aq sa brezi i ri nuk kishte njohuri mbi ekzistencën e një pune të tillë.

Pianistja Rexha Tërshana e cilëson si rizbulim të një kryevepre, që do të vijë me një tingëllim të freskët, duke e sjellë atmosferën e kohës në një këndvështrim modern. Siç shprehet dhe vetë ajo: “Muzikë e bukur, e shkruar mjeshtërisht, që do t’i rezistojë kohës, jam e sigurt.  Do të rizbulohet një kryevepër.” Karriera e Rexha Tërshanës nuk shpalos vetëm talentin e saj në intrument, por dhe dëshirën dhe dashurinë për të lënë gjurmë të muzikës shqiptare edhe jashtë vendit. Artistja njihet për koncertet e saj të shumta brenda dhe jashtë vendit, performancat në vende si Tokio, Verona etj., ashtu sikurse nuk ka ndalur asnjëherë aktivitetin artistik brenda kufijve, duke u angazhuar pothuajse në çdo event të muzikës klasike. Mes koncertesh recital, bashkëpunimeve me emra të njohur, si violincelisti Wolfgang Panhofer, muzikës së paharrueshme të luajtur mjeshtërisht në piano (si koncerti i pestë i Beethoven), Rexha Tërshana rrëmbeu dy vite më parë edhe Çmimin Kult për kategorinë Instrumentisti i Vitit.

Data 5 prill, në orën 19:00 do ta gjejë artisten duke përjetuar emocionet e ‘rizbulimit të kryeveprës’!

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF