Si rrallëherë, mbrëmja e djeshme e gjeti Albanin larg skenës muzikore. Ishte i ftuari special në ‘Dua të të bëj të lumtur’, ku surprizoi një fanse të tijën. E mbyllur prej kohësh në shtëpi, si shkak i një defekti në këmbë, Albani e ftoi vajzën të shijonte jetën si duhet, duke mos marrë parasysh asgjë tjetër. Nga ana tjetër, vetë këngëtari është prekur nga një tjetër pjesë e emisionit.
Arbana ftoi në skenë Çun Lajçin, i cili me fuqinë e tij interpretuese, solli emocion nëpërmjet interpretimit të disa vargjeve të një poezie. Mes lotësh, Albani zbuloi se poezia ishte shkruar nga babai i tij në ’97-tën, kohë kur Skënderaj ishte larguar në Itali, pa gjurmë për një muaj rresht. “Më ktheve pas në kohë dhe më rrëmbeve me interpretimin tënd. Këtë poezi e ka shkruar babai im kur unë u nisa për në Itali dhe kisha më shumë se një muaj pa folur me ata”, ka sqaruar Albani, ndërsa Lajçi u shpreh se uronte që vetë këngëtari të mos e kalonte një eksperiencë të tillë, siç është emigrimi i fëmijëve drejt vendeve të tjera.
Poezia është vërtetë emocionuese, ndërsa vargjet kanë prekur edhe vetë publikun. Ja versioni i plotë:
Tri javë pa sy,
Tri javë pa fjalë,
Unë dhe ime shoqe,
Dy të vdekur, gjallë.
Buzët…kapak burgu
Sytë, hije muzgu.
Kthejm’ kryet, shikojm’ nga deti,
Lëkundje, tërmeti
I kthejmë nga qielli, asnjë rreze dielli
Si statuja, ngrirë,
Me zemër të mpirë,
Shikojmë në errësirë.
Deti nxjerr të vdekur,
Ne presim të mekur,
Ne presim një lajm, një lajm për tim bir
Rrëmbyer nga ikja që s’pati mëshirë
Lutemi Zotit, qoftë lajm i mirë!



















