S’ka shumë që mbushi 32 vjeç, por pas gjithë këtyre viteve Ledri Vula mbetet ende në majat e skenës së repit. I pyetur nga Eni Shehu për Edicionin Veror në “ABC News”, Ledri zbuloi se diçka i ka mbetur peng dhe do të kishte dashur ta ndryshonte: “Nëse do të isha kthyer në kohë do të doja të kisha punuar më shumë se ç’kam punuar” E megjithatë, në ka diçka që e bën Ledrin krenar, është situata e industrisë së muzikës shqiptare sot, kur gjithmonë e më shumë artistëve tanë po u dëgjohet zëri edhe jashtë vendit.
E ndërsa Ledri siç e ka saktësuar edhe më parë, nuk e shikon të ardhmen në muzikën ndërkombëtare, mundësitë nuk i kanë munguar aspak. Ledri zbuloi për Edicionin Veror prapaskenat e takimit në Zvicër me reperët e famshëm Frech Montana dhe shqiptarin e repit amerikan Gashi. Duket se dominuesit e skenës botërore i paskan fort përzemër reperët tanë. “Kam rastisur të jem në një festival me reperët e huaj, dhe nuk e kam ditur që ata na ndjekin neve. Më pyetën, përse nuk po vjen edhe ti tek ne, përse nuk po bën diçka në anglisht?”
Por, cilat qenë dhuratat më të shtrenjta që mori Ledri për ditëlindje? Një festë surprizë nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, si edhe një pikturë e rrallë e një artisti të njohur, si dhuratë nga mamaja e tij Geraldina. Por, jo vetëm; Ledri i tregoi Enit se më në fund, mban në dorë një orë Rolex origjinale, si dhuratë nga menaxheri i tij Faton Shoshi. “Nuk e kam nga ato që qëllojnë nëpër patatina”, tha Ledri duke ironizuar DJ Blunt dhe Real 1, të cilët pak disa muaj më parë akuzuan reperët shqiptarë se mbajnë ora false.
“E kam origjinale, ma ka dhuruar Fatoni, se e ka ditur prej kohësh që më pëlqen tepër.” Shumë i angazhuar me koncerte në sezonin e verës, Ledri tregoi se pushimet duhet të presin. Madje, zbuloi për Edicionin Veror edhe me kë do t’i kalojë pushimet. “Me atë aty”, tha ai duke treguar nga Fatoni.
Asnjë vajzë në horizont për Ledrin, të paktën jo publikisht.