Albën e njoh që kur ishte vetëm 16 vjeç. E kam takuar në një eveniment mode: nuk rrinte në një vend, nuk i mbyllej goja. Me pak fjalë ishte nga ato vajza, që gjithmonë ka diçka për të thënë, duke reflektuar jo vetëm natyrën e saj impulsive, por edhe dëshirën për të ndarë me miqtë, gjithçka që ka lexuar mes rreshtave. Hera e dytë ishte Big Brother, momenti kur shpërtheu, jo vetëm si Alba Çobaj, por si një fenomen, ndaj nuk e kisha vënë në dyshim se 100 ditë pas daljes nga shtëpia më e famshme, jeta e saj do të ridimensionohej. E në fakt ashtu ndodhi. Ajo shfrytëzoi çdo sekondë, çdo dashamirësi, pse jo edhe xhelozi, për të ngritur një imazh, i cili së fundmi është përkthyer në një emër biznesi. E përfshirë prej pak kohësh në media, ajo do të jetë gjithnjë pjesë e saj, qoftë me mendimet e saj, shpesh kontroverse, edhe të drejpërdrejta me veten dhe publikun. Tani vëmendja e saj është zhvendosur tek një biznes i saj: dyqan Vitae i cili nisi online, për tu konkretizuar pastaj…!
Prej pak kohësh, je bërë drejtuese e një dyqani veshjesh. Si lindi ideja dhe si funksionon?
Ideja ishte që të bëja diçka ndryshe nga dyqanet standarte që thjesht shesin veshje. Doja të bëja një lloj ndërmjetësimi midis atyre që kanë veshje qoftë njëherë të veshura, qoftë të reja me etikete, por që nuk i duan më, një lloj ndërmjetësimi me ata që duan të blejnë veshje jo shumë të shtrenjta, por që të jenë markë dhe t‘i gjejnë që të jenë gjëra të veçanta të jenë me çmime të arsyeshme. Vajzat vijnë të shesin gjërat e tyre, kundrejt një lloj përqindjeje që unë marr. Përveç kësaj kam edhe një linjë angleze që furnizohem, të cilat janë pjesë e dyqanit, ndërsa pjesën tjetër e sjellin klientet.
Sa të ka ndikuar ekrani për biznesin tënd?
Faktikisht ekrani më ka ndihmuar, njerëzit më kanë ndjekur nga rrjetet sociale përveç ekranit, dhe unë e kam shfrytëzuar këtë pjesë të reklamimit të veshjeve dhe dyqanit. Normalisht kjo ka ndikuar dhe numri i ndjekësve është rritur. Vijnë i shohin, i provojnë dhe i blejnë. Normalisht ekrani më ka ndihmuar, nuk është njësoj sikur ta nisësh nga 0.
A e shikon Instagramin si mjet për biznesin apo imazhin tënd si mjet reklamimi?
Faktikisht duam apo nuk duam është bërë mjet i rëndësishëm reklamimi. Si mënyrë biznesi është goxha interesante, të ofron mundësinë që nëpërmjet story-ve të bësh shumë video të lezetshme. Por edhe para se te hapja biznesin kam pasur momente qesharake dhe njerëzit më ndjekin me shumë kënaqësi. Kjo është një mënyrë interesate për ta bërë biznesin, sepse më parë ka qenë më e vështirë që të gjeje një lokacion, të shikoje një veshje, të shkoje ta provoje. Kjo të afron më shumë me njerëzit.
Jeni bërë e njohur nga Big Brother. A ka qenë për ty ky reality show një qëllim në vetvete për të arritur disa qëllime në jetë, ndoshta në mënyrë më të lehtë?
Big Brother nuk ka qenë asnjëherë ëndërr, por një trampolinë për t’u përfshirë në botën e medias dhe për të shfrytëzuar kontaktet për njohje, më thjeshtë sesa ta nisësh nga 0.
Pas Big Brother, ti u bëre pjesë e ekranit, por prej pak kohësh je shkëputur? A do e shohim Albën sërish në ekran, apo ke bërë “divorc” me televizionin?
Kam 2 vjet që jam shkëputur nga televizioni dhe u fokusova tek portalet dhe gazetat, tek pjesa e shtypit të shkruar, ku nuk je shumë në qendër të vëmendjes siç je në ekran. Kjo më dha kënaqësi, por vjen një moment që pjesa pagesës është e rëndësishmë. Dua që në momentin që të kthehem në ekran të jetë një format që më përshtatet, që ta bëj me kënaqësi, por edhe të jetë një pagesë e kënaqshme. Mund të kisha filluar punë në ekran, por pagesat kanë qenë shumë qesharake dhe nuk bëj si disa, që thjesht duan të jenë në ekran. Nuk e pranoj dot sepse tallen me punën dhe imazhin tim.
Mendon që do të rikthehesh?
Nuk e di, mundësia ekziston gjithmonë. Nuk është një shkëputje përfundimtare, për sa kohë e ndjej veten të aftë dhe e ndjej veten të re e që mund të më ofrojnë mundësi.
Përtej famës, ti e dashuron ekranin, apo e sheh si punë, që ka disa benefite?
Është interesant ekrani sepse të jep mundësinë që të krijosh një lidhje të padukshme me njerëzit që të ndjekin dhe një lloj afeksioni shumë interesant. Kur del në rrugë njerëzit të komplimentojnë, të admirojnë, të thonë edhe ndonjë kritikë për faktin se unë jam tip ekspresiv. Për mua është e vështirë të bëj çdo lloj formati televiziv, nuk mund të rri brenda kornizave, më duhet një format që të jetë i lirshëm, programe që të ofrojnë mundësi që ta shpalosësh veten, të mos rezervohesh, të mos kesh limite, të mos ndihesh në siklet që njerëzit po të gjykojnë pse the këtë fjalë. Një program ku njerëzit e gjejnë veten, sepse është bërë e mërzitshme të shohësh një moderatore copy-paste.
Duke qenë se i përmendët moderatoret, ke ndonjë të preferuar…?
I ndjek për aq kohë sa jam në shtëpi ose ndonjë video në youtube. Moderatoret e mia të preferuara janë Rudina Xhunga dhe Ilva Tare. Siç e thashë është pak vështirë të gjesh një personazh që të jetë ndryshe nga të tjerët. Ndoshta Aulona më pëlqen sepse është shumë tip dhe shumë e lirshme, ndryshe nga prezantueset tipike, të bukura, të ëmbla.
Nëse nuk do të merreshe me dyqanin çfarë mund të bëje tjetër?
Do të merresha me median, sepse është puna që kam bërë dhe di të bëjë mirë. Kam studiuar gjuhë të huaja dhe për momentin jam drejt mbarimit të masterit për përkthim, ai është profesioni im në të ardhmen, krahas medias. Por si profesion të parë dua që të kem përkthimin. Nuk e besoj se ka të bëjë shumë shkolla, nuk është definitive. Ka plot që kanë studiuar gazetari dhe nuk janë të afta ta bëjnë. Ajo është diçka që duhet ta kesh pasion dhe dhunti. Kam lexuar pafund që fëmijë dhe deri tani dhe s’do stopoj kurrë, e kam dhunti të shkruarit, e adhuroj artin. Të gjitha shfaqjet në teatër dhe opera i ndjek, prandaj jam marrë me kulturën, e kam bërë dhe e bëj me shumë dëshirë.
Sa kujdesesh për veten?
Palestrën kam disa muaj që e kam lënë, sepse e bëja me shkëputje, kurse estetikës i dedikoj kohë aq sa duhet, jo me ekzagjerim. Nuk kam nevojë të bëj trajtime, thjesht kam ato kremrat e mia që përdor në mëngjes dhe në darkë. Make up e kam shumë qejf, por ka disa raste që dal pa grim.
Ndonjë plan që ke bërë për të ardhmen?
Për momentin synimet e mia janë afatshkurtra; të mbaroj masterin dhe të pozicionohem në një punë. Ndërkohë kam në dorë një libër që po përkthej, kjo më ndihmon të merrem me dyqanin edhe për ca kohë sa ta vë në vijë, deri në momentin që do të kem një punë tjetër.