Karriera e tij ka nisur shumë vite më parë, qysh kur ishte fëmijë e asokohe më së shumti ishte djali i Sabri Fejzullahut.

Ermal Fejzullahu ka qenë ndër të paktët fatlumë që ja doli të krijojë denjësisht emrin e tij, duke dalë nga ‘hija’ e të atit të famshëm; arriti të mbajë një balancë të shkëlqyer mes karrierës që nuk e la asnjëherë dhe familjes, tek e cila po ashtu ka qenë përherë prezent.

Së shpejti baba për herë të katërt, me një karrierë që i kalon dy dekadat; një ‘portofol’ i tillë na bën të mendojmë se kemi të bëjmë me një burrë jo fort të ri në moshë, por Ermal Fejzullahu pavarësisht ‘vrullit’ me të cilin ka jetuar, është i ri, fare i ri në fakt!

Sot artisti nga Kosova feston ditëlindjen dhe mbush 31 vjeç, dhe ne nuk mund të themi që nuk u habitëm paksa teksa mësuam moshën e tij.

Ndërsa moshatarët e tij, teksa fikin qirinjt e tortës, rendisin dëshirat që kanë për të ardhmen, Fejzullahu thjesht dhe lumturisht me siguri para tortes së ditëlindjes numëron bekimet e tij!


