Do të duhet kohë para se shqiptarët të harrojnë tragjedinë dhe dramën që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit.
Të mbetur pa një çati mbi kokë, të trembur e të pasigurt për jetën, qytetarët e Durrësit e po ashtu fshatrave të prekur, u larguan nga vendbanimet e tyre për të gjetur strehim gjetkë, në qytete të tjera të Shqipërisë, ndërsa shumë prej tyre u strehuan edhe në Kosovë.
Ndërsa trishtimi na ka kapluar të gjithëve, teksa secili prej nesh shpreson në një rimëkëmbje sa më të shpejtë të vendeve të prekura nga tërmeti, si mrekulli pas tragjedisë dy bebushë kanë ardhur në jetë vetëm pak ditë pas rënies së tërmetit.
Shtatzëna në ditët e fundit të pritjes së ëmbël, Romina dhe Ardiana janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre mëngjesin e së martës së kaluar, teksa toka vijonte të dridhej. Me siguri nënat e reja kishin bërë gati gjithçka për të pritur bebushat, por fati deshi që ata t’i jepnin jetë foshnjave në kushte dhe rrethana të paimagjinueshme.
Romina Radoshniqi nga Durrësi ka sjellë në jetë vajzën e saj në spitalin e Pejës, vend ku edhe u strehua pas rënies së tërmetit.
Ndërsa Ardiana nga fshati Manzë i Durrësit, e mbetur pa shtëpi si pasojë e tërmetit ka sjellë mbrëmjen e kaluar vajzën e saj që e ka quajtur Ajsel.
Le të jenë këto vogëlushe mesazh i vazhdimësisë së jetës, e përpos situatës në të cilën ndodhet Shqipëria një jetë e re e sapo ardhur mes nesh është gjithmonë një lajm i mirë, dhe një hap më pranë qetësimit të shpirtrave të trazuar.



















