Duket se shkollat e Tiranës, Durrësit, Vorës e Kurbinit nuk janë ende gati për të nisur shkollën më 5 dhjetor, siç u tha më herët.
Në një deklaratë për mediat, Ministrja e Arsimit Besa Shahini, ka dhënë datat zyrtare të nisjes së shkollës në të gjitha qarqet e Shqipërisë.
“Qarku Durrës, Bashkia Kurbin, Bashkia Vorë e Bashkia Tiranë do të rifillojnë mësimin në datë 9 dhjetor, të hënën, kurse të gjitha bashkitë e tjera fillojnë nesër, më 5 dhjetor. Në bashkinë Tiranë, përvec fshatit Pezë që shkolla ka dalë jashtë funksionit, kemi disa shkolla qe kanë dëme mesatare dhe aty mesimi rifillon më 9 dhjetor. Për kopshtet dhe shkollat private të hënën nxora urdhër që kopshtet duhet të marrin një konfirmim para se të rihapen, të kemi konfirmim nga instituti që ka bëre vlerësimin e shkollave të tjera, që të jemi të sigurt”; ka sqaruar ministrja Shahini.
Përsa i përket datës 8 dhjetor, që çdo vit ka qenë pushim zyrtar si “Dita e Rinisë”, këtë vit nuk do të jetë pasi janë humbur mjaftueshëm ditë nga zhvillimi mësimor.



















