Që prej rënies së tërmetit më 26 nëntor, forcat e kërkim shpëtimit kanë ‘luftuar’ me rrënojat, me dëshirën, shpresën e vullnetin që të nxjerrin nga aty njerëz që frymojnë. Shpeshherë këta heronj kanë vënë në rrezik edhe jetën e tyre, teksa mes tonalitetesh inertesh ushtarët e Forcave të Armatosura kishin vetëm një qëllim; të nxirrnin nga rrënojat njerëz të ‘burgosur’ nga tërmeti.
Sot në 107-vjetorin e krijimit të ushtrisë shqiptare ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka, ka pulikuar një letër prekëse të një vajze 9-vjeçare, për ushtarët heronj që kanë ndihmuar pa u lodhur deri në vetflijim të prekurit nga tërmeti.
Edhe në psiqikën e një 9 vjeçarje, ushtarët qartazi janë heronj, dhe me çiltërinë e pastërtinë e një fëmije Klea ka falenderuar ushtarët të cilët I japin asaj siguri dhe i largojnë frikën që e ka kapluar këto ditë pas tërmetit.
Letra e vogëlushes:
“Të dashur ushtarë, unë jam Klea dhe jam 9-vjeç, ditëlindjen e festova në ditën më të frikshme për çdo fëmijë. Fatmirësisht atë ditë ndodhesha të shtëpia e hallës në Tiranë sepse banojmë në katin e 10 në Durrës. Në mëngjes isha në gjumë dhe nuk e dija se çfarë ndodhi, dëgjova babin që bërtiste me të madhe dhe më mori në krah. Jashtë ishte shumë ftohtë dhe shikoja njerëzit që po dilnin, nuk e kuptoja se çfarë ndodhi. Më në fund u futëm në shtëpi dhe mësova se shumë shtëpi janë prishur dhe njerëzit janë lënduar.
Në ekran fillova të shikoj ushtarët që mbanin kapele me ngjyra dhe forma të ndryshme. Pyeta pak prindërit a kishte luftë? Se nuk kisha parë aq shumë ushtarë në qytet dhe ata më thanë atë që ju po bëni. U habita, se mendoja se ju vetëm luftoni, sipas historive që mësuesja na tregon në shkollë, por sot mësova se ju nuk jeni vetëm për atë qëllim. Pyes prindërit gjithë kohën për ju, madje këtë letër më ndihmoi mami ta shkruaj mirë, se sepse dua t’u tregoj sa xhan ju kam. Jam shumë e lumtur që mësova se tani ju do të na ndihmoi kur të kemi frikë dhe jemi në rrezik. Unë nuk i kuptoj të gjitha akoma, por e di që në vendin tonë ka shumë heronj. Jeni ju dhe të gjithë ata që ndihmuan.



















