Regjisori Namik Ajazi ishte i ftuar këtë të premte në programin “Rudina”, për të folur rreth filmit të tij të fundit “Amanet”, që u vlerësua me çmimin e parë në Festivalin e Filmit në Sanremo.
Ajazi ceku gjithashtu historinë e dashurisë me politikanen Majlinda Bregu, duke rrëfyer për herë të parë mënyrën e njohjes me atë që është sot bashkëshortja dhe nëna e dy fëmijëve të tij.
Duket se shkaku i njohjes së regjisorit dhe ish-gazetares është Kolera!
“Jemi njohur në TVSH. Ishte një moment në vitin 1994 kur u fol për një epidemi kolere. Unë vij nga Telenorba për të xhiruar diçka, ndërsa Majlinda asokohe bashkëpunonte me televizionin. Ishte në vitin e fundit të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe punonte si gazetare dhe spikere lajmesh në orën 20:00. Kështu që bëmë një udhëtim bashkë për të xhiruar kronikën. Kjo u bë shkaku i njohjes, pas të cilës ne filluam të takoheshim. Dashuri në kohërat e kolerës tamam, kështu duhet thënë. Bashkëpunuam bashkë për disa cikle të tjera në televizionin shqiptar, si ‘Jetë e shitur në trotuare’, ‘Prostitucioni’ dhe i fundit ishte ‘Dasma tjetër’ në 2005-n, pas së cilës ajo u fut në politikë dhe u bë deputete e më pas ministre. Këtu filluan të ndahen gjërat. Deri në atë kohë, Kejdës i thoshin që ‘është vajza e Nikos’, që pas asaj kohe thuhet ‘e bija e Majlinda Bregut’; babai nuk është”; tregoi gjatë intervistës regjisori i njohur!