Aktorja e njohur, Pranvera Veizi dhe bashkëshorti i saj kompozitori Valentin Veizi ishin të ftuar të martën në emisionin e pasdites “Rudina” në Tv Klan.
Çifti i artistëve që prej 22 vitesh çifti jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë rikthyer së fundmi në vend për shkak të angazhimit të tyre si pjesë e filmit “I love Tropoja”. Ajo dhe partneri i saj rrëfyen jetën e tyre gjatë gjithë këtyre viteve larg atdheut dhe se me çfarë janë të angazhuar në SHBA.
Aktorja ka treguar se pasi hoqi dorë nga aktrimi vendosi t’i përkushtohej biznesit të saj atje.
“Para disa viteve kisha një spa në Amerikë, por kishte shumë punë dhe angazhime, ndaj vendosa ta mbyllja. Tani kam një dyqan, punoj vetë, kam edhe disa vajza që punojnë për mua”, tregoi Vera gjatë bisedës ndërsa Valentini shtoi se ajo ka përfunduar një shkollë për estetiste me rezultate të shkëlqyera në Amerikë dhe biznesi i ri ecën shumë mirë.
Më tej ylli i aktrimit tregoi e emocionuar arsyen e vërtetë dhe ndjesinë që pati kur vendosi të shkëputej nga aktrimi.
“Unë mbeta shtatzënë me vajzën një vit pasi kishim shkuar në Amerikë dhe atje nuk është si këtu. Kur linda djalin këtu kisha mamin, motrat që më ndihmonin. Këtu ta mban fëmijën edhe komshija, kurse atje është e pamundur. Unë e provova me disa aktivitete të vogla, por ishte e lodhshme të udhëtoja. Pastaj edhe pse jam e qeshur jam shumë e ndjeshme. Sa herë mendoja për Shqipërinë, për mamin, babin, motrat, prekesha dhe thashë, unë duhet ta mbyll një kapitull dhe të nis një të ri”, u shpreh Vera.
Gjithashtu aktorja e njohur tregoi se të bërit gjyshër i ka bërë shumë të lumtur dhe i ka dhuruar emocione mjaft të veçanta.
Tashmë djali i tyre është martuar dhe është bërë me fëmijë, ndërsa vajza 20-vjeç vazhdon studimet për shkenca politike.



















