Ishte nje intervistë në Skype me Nertila Kokën ajo që u kthye në një “kokëcarje” të radhës për Rudina Magjistarin. Këngëtarja ndodhet në Suedi bashkë me familjen, dhe ndërsa bisedonin, moderatorja tha se Nertila gëzon dy vajza dhe një djalë. Artistja shpjegoi se “djali” në fakt është qenushi i saj, dhe kjo bëri që të dyja të shpërthenin në të qeshura.
Por nuk e kaluan kaq lehtë edhe të tjerë, përfshirë dhe publikime që theksuan “gafën” e fortë të Rudinës, duke kujtuar madje se nuk është dhe hera e parë që bën gabime të tilla.
Rudina reagoi përmes një statusi të gjatë në Instagram, ku shkruan:
“Kaq i rrallë është spontaniteti në këtë vend, natyralja, e vërteta, sa habiten kur e ndeshin. Dhe i duket se ç’gjëmë ka ndodhur! Mesa duket ka aq shumë falsitet e injorance, sa të jesh vetvetja dhe të bësh një televizion natyral, siç ka qenë filozofi e imja gjithë jetën, duket si herezi. Në vend që të kenaqeni e të shijoni një komunikim joskematik, protestoni se sa poshtë ka rënë televizioni. Po turp, s’ju vjen?!
I quani gafa, po nga ato të gjithë bëjmë e të gjithë qeshim me njëri-tjetrin. Kurse unë do ti quaja perla more të uruar, sepse na e rrëmbejnë një buzëqeshje gjatë ditës. Sigurisht, ndryshe nga tuajat, apo edhe nga ata që bëjnë një program një dite të vetme në javë dhe kanë kohë ta krasisin siç duan, ato të miat kane më shumë vizibilitet. Sepse gjërat janë të lidhura: orët televizive në transmetim, intensiteti, publiku, audienca, shtrirja në vite e programit, dhe sidomos po të kthehet në objektivin tuaj, sigurisht që duken shumë.
Nqs s’e keni kuptuar akoma, unë BISEDOJ me te ftuarin kur e intervistoj, sepse nuk jam dhe s’dua aspak te bej gazetaren e lajmeve. Dhe te qenurit spontan është tek unë nje kriter i rëndësishëm i zhvillimit të programit. Kush ka punuar me mua, e di mirë sa s’më pëlqen ti parapërgatis situatat në program, por insistoj që gjithçka të ndodhë në mënyrë origjinale direkt në transmetim. Dhe ky është stili im unik i të bërit televizion, këtu e gati 30 vjet.
S’po merrem pastaj me rastet, kur unë vetë i ngacmoj të ftuarit me humor dhe ata “të mprehtët”, që janë mësuar vetëm me standardin e humorit të hungërimave, e quajnë si lajthitjen e rradhës.E di që shumë prej jush, do thonë “po c’merresh me ta”! S’ia vlen! Po ja, që duhet ta shkruaj pikërisht për ta. Që të lexojnë e të kuptojnë, se televizioni në fund fare është ARGETIM, përveçse INFORMIM dhe EDUKIM. Dhe jam krenare që programi im i përmban denjësisht të gjitha këto. Shumë prej jush kanë mësuar pafund nga ky program, ku është prekur çdo lloj teme e dhënë këshilla e mësime në të gjitha format me shumë përkushtim dhe kjo mua më përmbush. Pavarësisht, se është dëshpërues fakti se jeni bukëshkalë e të paedukuar. Ju dashakeqë, që kujtoni se po bëheni interesante, uroj t’ju hyjë ndonjë gjë në kokë nga këto, se po s’hyri në kokë do hyjë në këmbë… Jeni thjesht ca paçavure për të vrarë kohën”.