Edhe pse pak ditë më parë kryeministri Edi Rama bëri me dije se më 15 qershor do të rinisë aktiviteti i transportit publik, duket se as këtë të hënë ky shërbim nuk do të nisë aktivitetin e tij.
Ky vendim është refuzuar nga Unioni i Shoqatave të Transportit Publik që ka deklaruar se nuk i kanë kapacitetet e duhura për të rifilluar transportin në linjat kombëtare.
“Sa kohë kemi këto kushte aktuale, të gjithë kompanitë në transportin publik, janë të paafta për të filluar këtë shërbim. Të gjithë operatorët e transportit publik mezi presin rifillimin e shërbimit. Nevoja për të operuar të gjitha subjekte e kanë shumë të madhe. Është e pamundur të respektohet ai protokoll që ne kemi marrë, nga mediat, në një mjet të transporti qytetas apo ndërqytetës. Protokoll zyrtar nuk kemi marrë akoma. Një problem tjetër është edhe me faturinot sepse me atë protokoll, 75% e ngarkesës, do të jetë shumë e vështirë të operohet me faturino. Ditën e hënë nuk ka nisje të transportit publik, është vendimi i shoqatës për transportin qytetas e ndërqytetës në këto kushte është e pamundur. Nuk kemi mundësi financiare”- janë shprehur përfaqësuesit e shoqatës.



















