I ka lënë pas kujtimet e hidhura të jetuara prej pesë vitesh në kampin famëkeq AlHol në Siri dhe tani Alvini 12 vjeçar po jeton fëmijërinë si të gjithë moshatarët e tij.
Kanë kaluar 7 muaj që kur Alvini u bashkua me familjen në Itali dhe sot, ai nuk ngjan fare me vogëlushin e disa muajve më parë. Së bashku me të atin dhe motrën 12 vjeçari ka ardhur me pushime në Durrës.
I ati i Alvinit ka postuar foto të të birit në Instagram, në portretin e të cilit pasqyrohet lumturi dhe shëndet i mirë.
Në moshën 6 vjeçare, në dhjetor të 2014, Alvin Berisha shkoi drejt Sirisë me të ëmën që ka dashur t’i bashkohej ISIS-it. Nëna e tij, e lindur në Durrës në vitin 1982 ka emigruar në Itali, ku edhe ka rënë pre e propagandës fetare radikale islamike.
Ajo humbi jetën nga një bombardim kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri, ngjarje gjatë të cilës është plagosur rëndë edhe Alvini. U desh një operacion i mirëorganizuar nga autoritetet italiane dhe shqiptare si dhe organizatat humanitare për të bërë të mundur nxjerrjen e tij nga kampi i ferrit dhe bashkimin e Alvinit me familjen e tij.



















