
Është shënuar një tjetër humbje jete këtë mesditë në repartin e Infektivit, teksa raportohet se një 62 vjeçar nga Tirana nuk mundi t’i mbijetojë komplikacioneve të shkaktuara nga Covid-19. I ndjeri ndodhej prej dy javësh i shtruar në Spitalin e Infektivit dhe prej 10 ditësh në terapi intensive.
Ajo çfarë e bën edhe më të trishtë këtë humbje është fakti se 62 vjeçari nuk vuante nga asnjë sëmundje shqëruese.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe i rikujton qytetarëve rëndësinë që ka respektimi i masave mbrojtëse, pasi referuar ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, virusi është prezent, ka transmetueshmëri dhe nuk e ka humbur forcën e tij virusale.
Nga fillimi i epidemisë, 45 qytetarë e kanë humbur betejën me Covid-19. Aktualisht janë të shtruar mbi 80 pacientë në shërbimin infektiv dhe janë mbi 790 raste aktive me Covid-19 në vend.



















