Fotografia: Fation Repishti
Brikena Prifti, brunia simpatike që hijeshon ekranin e Tv Klan si folëse lajmesh, e ka projektuar me kohë këtë pikë të karrierës së saj. Elokuente, e bukur, e saktë aq sa edhe e ëmbël; Brikena e ka patur të qartë destinacionin që ditën e parë që vendosi të ndiqte studimet për gazetari; e ardhmja e bukuroshes së edicioneve të lajmeve do të ishte ekrani….
Prej disa kohësh në ekranin e Tv Klan shfaqet një spikere e re e tejet simpatike; si u gjend Brikena në studion e lajmeve?
Unë nuk u gjenda papritur në studion e lajmeve dhe televizioni nuk ishte një rastësi në jetën time. Është diçka që e kam ëndërruar që e vogël dhe kam punuar me përkushtim për ta realizuar. Jam diplomuar për gazetari (bachelor dhe master) dhe kam menduar gjithnjë se do të punoja në një redaksi lajmesh dhe në një ekran. E kam nisur këtë sfidë thuajse menjëherë pas diplomimit. Nuk ka qenë e lehtë dhe më është dashur të punoj sistematikisht çdo ditë, ç’ka vazhdoj dhe e bëj po me të njëjtin impenjim. Kjo është një punë që e dua dhe kur diçka e do, çdo gjë bëhet më e lehtë. Por sigurisht që nuk mjafton vetëm dëshira. Gazetaria, dhe në veçanti qënia në ekran, është si biçikleta: nëse nuk pedalon, humbet ekuilibrin.
Pse zgjodhët këtë profil gazetarie?
Besoj se gjithkush mendon që në jetë duhet të angazhohet në atë fushë ku vlerëson se mund të japë maksimumin e tij dhe në atë që e bën të ndihet mirë dhe të jetë i plotësuar. Kam besuar se kjo ishte fusha që më përshtatej dhe ku unë mund të investohesha pa frikën se do të mund të pendohesha dikur për zgjedhjen time.
Ju kujtohet ndonjë incident gjatë transmetimit të lajmeve?
Deri tani asnjë dhe do të dëshiroja të mos kem incidente për të kujtuar edhe në të ardhmen.
E shihni veten si moderatore programesh argëtuese apo spektaklesh?
Mendoj se jam shumë e lidhur me informacionin. Të paktën për momentin fokusi im është spikerimi. Është një ndjesi e papërshkrueshme të kesh privilegjin të informosh publikun me çështje që e prekin drejpërdrejt. Por nuk përjashtohet mundësia që të pranoja edhe drejtimin e ndonjë spektakli në të ardhmen. Televizioni është një botë e bukur me shumë mundësi dhe çdonjëra prej tyre që mund të të jepet në jetë, duhet të këtë vlerësimin e duhur. Por gjithmonë duke qëndruar me këmbë në tokë e duke pranuar propozime që ke sigurinë se mund t’i realizosh me sukses.
Sa ka ndikuar profesioni në stilin tuaj të jetesës?
Jam përpjekur gjithnjë të bëj një jetë të rregullt edhe pse gjithmonë intensive. Kam punuar edhe gjatë kohës që ndiqja studimet, jo vetëm në media. Për mua kryesore është familja dhe shoqëria. Përpiqem t’i ushqej përditë me dashuri dhe t’i ruaj si gjërat më të shtrenjta që kam duke u dhënë kohën e duhur, pavarësisht se puna dhe angazhimet qe lidhen me të më marrin aktualisht një pjesë të mirë të ditës. Dalja në ekran kërkon një regjim të caktuar, me të cilin nuk mund të luash. Orët e vona më zënë gjithmonë në shtëpi, me qëllimin për të rikuperuar energjitë e harxhuara dhe për të marrë enegjitë e nevojshme për të nesërmen. Ky regjim duhet respektuar, përndryshe të dënon.
Jeni penduar ndonjëherë që zgjodhët këtë profil gazetarie?
As në ëndërr! Është një punë që më pëlqen. Ka shumë më pak mundësi se profile të tjera që të bjerë në rutinë. Është një profesion që më plotëson dhe besoj se kështu do të jetë për shumë kohë.
Cilat janë pasionet e Brikenës?
Udhëtimet! Dua të mos resht së vizituari vende të reja brenda Shqipërisë e jashtë saj. Përpiqem që ditët e pushimeve t’i organizoj me udhëtime, sipas mundësisë dhe kohës.
Gjatë karantinimit u duk se shumë prej nesh zbuluan pasione e dhunti të reja; ndodhi diçka e tillë me ty?
Unë nuk pata një karantinim të mirfilltë duke qënë se duhet të vazhdonim punën. Ndaj nuk do thoja që zbulova pasione apo dhunti të reja por ushqeva disa prej dëshirave të vjetra, të cilat mungesa e kohës nuk më lejonte t’i kisha, siç janë librat dhe filmat.
Çfarë është fama; çfarë ju pëlqen dhe çfarë jo në të qenit figurë publike?
Në ditët e sotme janë të shumtë ata që duan të bëhen të famshëm dhe të mbahen mend për diçka në jetën e tyre. Dikur nocioni im për famën ishte i barazvlefshëm me suksesin, por sot fama ka marrë një konotacion tjetër, një ndryshim i ardhur kryesisht prej evolucionit të internetit, mediave sociale. Sot mjafton pak për t’u bërë i famshëm e po aq pak për t’u harruar. Ndaj për mua ka më shumë vlerë të punosh fort për të bërë mirë atë që të është besuar e jo me domosdo duke bërë zhurmë për të tërhequr vëmendje. Rruga e shkurtër nuk të jep kurrë sodisfaksione afatgjata. Kam menduar gjithmonë që vetëm puna mund të krijojë bazat për të qënë i suksesshëm. Kjo ka më shumë rëndësi. Deri tani nuk ia kam parë anët negative të të qënit një figurë publike. Që prej daljeve të para në ekran kam marrë fjalë të mira e dashuri edhe nga njerëz, që nuk i njoh personalisht por që më shprehin vlerësimin e tyre, qoftë kur më shohin në rrugë apo edhe duke më shkruar në rrjete sociale. Dhe kjo është kënaqësia më e madhe që të jep ekrani.










Ami foto nga plazhi pa pikë make up-i!




Mëngjesi i ëmbël i Sara Hoxhës!

Elita Rudi shtatzënë për herë të dytë?!




