Ngjyra mbi tavolinë, receta të freskëta me perime dhe fruta të stinës!

Receta të freskëta me perime dhe fruta të stinës, të cilat vijnë në tavolinë me një kolorit të bukur, duke i bërë pjatat jo vetëm të bukura, por edhe shumë të shijshme.

Bordo sjell aromën e fushave dhe oborreve mbi tavolinën tuaj, me receta të cilat kanë një freski dhe shije joshëse. Shumë pak minuta duhen për t’i përgatitur këto receta të cilat do të sjellin tek ju ndjesi unike për shkak se janë të lehta dhe të shëndetshme. Provojini dhe do të surprizoheni, që janë shumë të thjeshta për t’u realizuar edhe në shtëpi.

Sallatë spinaqi


Përbërësit: 1000 gr spinaq, 30 gram djathë parmixhano, 20 gram gjalpë, 2 thelpinj hudhër, kripë
Përgatitja: Pastroni spinaqin duke i hequr rrënjët. Në një tigan shkrini 20 gramë gjalpë. Qëroni 2 thelpinj hudhër dhe hidhini derisa të skuqen pak. Shtoni spinaqin dhe gatuajeni mbi zjarr të lartë për 8 minuta, duke i shtuar pak ujë. Kriposeni spinaqin dhe pasi ta përzieni hiqeni nga zjarri. Plotësojeni pjatën me 30 gramë djathë të grirë parmixhano. Spinaqi mund të shijohet si i ngrohtë, ashtu edhe i ftohtë, duke u shoqëruar me pasta, supa ose për mbushjen e omëletave.

Patëllxhanë të marinuar


Përbërësit: 600 gr patëllxhanë, 175 ml vaj ulliri, 1 spec djegës, 3 thelpinj hudhër, 1 lugë kopër i thatë, 10 gjethe mente e grirë, kripë dhe pipër.
Përgatitja: Pritni patëllxhanët në feta të holla në formë gjatësore. Më pas vendosni fetat e patëllxhanit në tas dhe spërkatini me kripë. Lërini të kullojnë për rreth 30 minuta. Ngrohni një tigan dhe lëreni të nxehet. Shpëlajini fetat e patëllxhanit, thajini dhe lyejini me pak vaj ulliri. Vendosini në tigan dhe lërini të piqen derisa të marrin një ngjyrë kafe të artë.
Ndërkohë në një tas të vogël, bashkoni specin djegës, hudhrën, kaperin dhe koprën, përzjejini me pak vaj ulliri. Shtojini kripë dhe piper sipas dëshirës dhe trazojini derisa të krijohet një masë homogjene.
Salcën vendoseni sipër patëllxhanëve, hidhni disa pika vaj ulliri dhe lëreni për t’u marinuar në një vend të freskët për të paktën 6 orë.

Supë verore

Përbërësit: 1 lugë gjelle vaj ulliri, 1 lugë gjalpë, 1 qepë e vogël, e prerë, 100 gr bizele, 1 qepë e njomë (vetëm pjesën e bardhë), 3 thelpinj hudhër, 1 karotë e vogël e grirë, 2 rrënjë selino, 1 spec i vogël i kuq dhe 1 spec i vogël jeshil, 4 gota lëng perimesh ose pule, 1 lugë lëng limoni, gjysmë gote me kokrra misri, 1 kungull i vogël veror i verdhë, 1 kungull i njomë, kripë, piper dhe majdanoz i njomë.
Përgatitja: Në një tenxhere hidhni vajin bashkë me gjalpin dhe lërini të shkrihen. Shtoni qepën, sëlinonë, hudhrën dhe specat e prerë, i përzieni dhe lërini të zbuten 10 minuta. Më pas shtoni lëngun e supës dhe kur të fillojë të vlojë, shtoni misrin, kungujt, karotën, bizelet dhe majdanozi. Lëreni supën të ziejë derisa perimet të fillojnë të zbuten, për rreth 10 minuta në zjarr të ulët. Në fund lëreni të ftohet dhe kur është ende e ngrohtë shtoni lëngun e limonit dhe disa feta, sipas dëshirës. Shtoni kripë dhe piper sipas dëshirës.

_________

Botuar ne Revisten Bordo

Qershor-Korrik

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article