Recetat e Nertila Kokës!

Qofte me couscous dhe perime 

Përbërësit: 

  • 200g kungull (1 i vogël ose gjysmë i madh)
  • 1 karotë mesatare
  • 1 qepë të njomë
  • 1 tufë majdanoz
  • 1-2 thelpinj hudhër
  • 100 gram peksimadhe (thërrime buke)
  • 100 gram couscous (i zier dhe i ftohtë)
  • 100 gram djathë i bardhë
  • 1 vezë
  • 2-3 lugë gjelle miell
  • kripë & piper
  • vaj misri apo luledielli (për të skuqur qoftet)

 

Përgatitja: Në një tas të madh hedhim kus kusin të cilin e kemi zier më parë. Shtojmë aty kungullin, karotën dhe qepën e njomë, të cilat i kemi grirë në rende imët. Kujdes: kungullin shtrydheni nga lëngu, para se ta hidhni me përbërësit e tjerë. Shtojmë një vezë, kripë dhe piper dhe i përziejmë derisa të krijohet një masë homogjene, njësoj si për qofte. I përziejmë ngadalë dhe më pas shtojmë miellin, djathin dhe majdanozin e grirë imët. E lëmë masën e përftuar të pushojë për 10 minuta, ndërkohë fillojmë përgatitjet për skuqjen e qofteve. Përgatisim qoftet duke i dhënë formë sipas dëshirës dhe i lyejmë me peksimadhe. I vendosim në tiganin e nxehur paraprakisht ku kemi hedhur vajin dhe i skuqim derisa të marrin ngjyrë të artë.

 

Pulë e frituar me salcë

Përbërësit: 

  • 500 gr gjoks pule
  • 80-100 gr galetë (thërrime buke)
  • 1 lugë kafe hudhër pudër
  • 50 gr miell
  • 2 vezë
  • 1 lugë gjelle rigon
  • 50 gr parmigiano
  • piper i zi dhe i kuq
  • kripë

Përbërësit për salcën:

  • 5 lugë gjelle kos të trashe me yndyrë 10%
  • 2 lugë gjelle majonezë
  • 1 thelp hudhër
  • 1 lugë kafe curry

Përgatitja: Hedhim në një tigan vajin për t’u nxehur. Bashkojmë erëzat me galetën, sipër së cilës kemi hedhur pak lëkurë limoni për t’i dhënë freski. Shtojmë mbi galetë djathin parmigano dhe e trazojmë.

Më pas marrin mishin e pulës të cilin e kemi prerë në copa dhe pasi e lyejmë me miellin, e lyejmë me vezë, të cilën e kemi rrahur pak. Të gjitha copat e mishit të pulës i kalojmë në galetë dhe i lyejmë në të gjitha anët. Më pas i vendosim për t’u skuqur në tigan në një zjarr me temperaturë mesatare derisa të marrin ngjyrë të artë.

Për të pargatitur salcën sos përziejmë në një tas 5 lugë kos me majonezë, 1 thelp hudhër të grirë imët dhe 1 lugë kafe me curry për t’i shtuar ngjyrën. E përziejmë derisa të krijohet një masë homogjene salce dhe e shërbejmë bashkë me pulën e frituar.

 

Cheesecake me Oreo

Përbërësit: 

  • 15 biskota Oreo
  • 3 lugë gjelle gjalpë (i shkrirë)
  • 300 gr Philadephia
  • 120 ml pana
  • 3-4 lugë gjelle sheqer pluhur
  • 5-6 copë Oreo (i përdorim për kremin)
  • 3-4 copë Oreo (për dekor)
  • Forma e tavës me diametër 15 me 16 centimetra

Përgatitja: Me anë të një mikseri grijmë biskotat, ose futini në një qese, ku mund t’i thërrmoni. Gjalpin e shkrirë e hedhim tek biskotat e grira dhe i trazojmë. Kur të jetë krijuar një brumë tipik për cheesecake, e hedhim masën e përftuar në formën që do ta përgatisim dhe me anë të një luge e ngjeshim fort.

Nisim përgatitjet për kremin, duke hedhur në mikser kremin Filadelfia, të cilin e përziejmë dhe më pas shtojmë kremin pana, e rrahim sërish dhe shtojmë sheqerin pluhur. Shtojmë biskotat oreo të ndara në katërsh, në mënyrë që të ruajmë formën e tyre. Masën e kremit e vendosim në tavën ku kemi hedhur brumin e biskotave të grira. E përhapim me një spatul në mënyrë të njëtrajtshme dhe më pas e vendosim në frigorifer për katër orë. Pasi ta nxirrni nga frigoriferi, i shtojmë sipër pluhur nga biskotat oreo.

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article