KreuStil Jetese

Një histori suksesi nga Orgesa! #cohlslover

Nga Ilda Lumani
Fotografia: Fani Aliko

Pak vite më parë, në takimin tim të parë me Orgesën e kuptova se përballë kisha një njeri të qartë, në mendime, ide dhe vizion! Teksa kam parë zhvillimin dhe rritjen e brandit të saj COHL’S përshtypja më është verifikuar në mënyrë të plotë. Vetëm në 5 vite strategjia e saj e ndërtimit të një marke shqiptare dhe marketimit të saj origjinal ka funksionuar për mrekulli. #cohlslover është kthyer në një hashtag, që të bën të ndihesh sportiv, fashion dhe gjithmonë IN! Për BORDO ajo na tregon deri ku shkon ambicia e saj… Ose aq sa ajo dëshiron të ndajë me të tjerët, pasi disa plane i ka rezervuar për një tjetër rrëfim në BORDO!

Orgesa, si lindi ideja e krijimit të një brandi sportiv 100 për qind shqiptar?
Ideja erdhi natyrshëm, nga kërkesa e tregut! Mungesa e brandeve me veshje sporti ka qenë ndjeshëm e dallueshme në vitet ‘99. Produktet e para kanë qenë uniforma në dispilina si; futboll, basketboll dhe volejboll nën markën OLA 1.
Rreth 5 vite më parë u rikonceptua COHL’S, brandi që është sot, duke krijuar edhe linjën për Lifestyle, Fitness dhe Running.

Domethënë po më thoni, që ne kemi në Shqipëri që prej 1999 nje markë Made in Albania?
Po pavarësisht, se ndoshta ne nuk i kemi bërë ndonjë jehonë të madhe, COHL’S është Re-brand i markës së mëparshme. Janë të gjitha të dokumentuara me foto ku ekipe; si Tomorri, Dinamo, Vllaznia, etj janë përfaqësuar në kompeticione europiane me këto uniforma.

Në këto vite në treg të Cohl’s jeni e kënaqur? I keni arritur pritshmëritë tuaja?
Është kënaqësi e përditshme, por që zgjat 5 minuta. Ndodh kur shoh të realizuar në perfeksion kampionin e parë apo kur shoh të gjithë koleksionin e përfunduar. Them 5 minuta sepse nisin menjëherë dilemat për atë që vjen pas.
Mendoj se COHL’S sapo ka krijuar identitetin në treg dhe është ende herët që unë të prek pritshmëritë që kam. Por mund të them që takoj dhe shikoj përditë shumë #cohlslover dhe kjo më lumturon pa masë.

Cohl’s ngjan ndonjëherë se është bërë për trupa të tonifikuar… Është ky targeti juaj, apo është edhe një spunto për të orientuar njerëzit drejt sportit?
COHL’S është projektuar për të gjithë që duan komoditetin, adhurojnë lëvizjen, jetojnë me ngjyrat dhe vlerësojnë materialet cilësore. Është pjesë e rutinës së çdo individi që bën sport.
Qëllimi i COHL’S është t’i motivojë dhe orientojë njerëzit për ta kthyer jetesën aktive në ‘lifestyle’ dhe pse jo për të patur trup të tonifikuar duke jetuar shëndetshëm, dukur bukur dhe ndjerë rehat. Çfarëdo është energjia dhe presioni qe ti ushtron gjatë stërvitjes, COHL’S është një trup me ty.
Një design i bukur të tundon gjithmonë për ta veshur dhe për të rendur drejt palestrës, pistës së vrapit apo eksplorimit të natyrës.

Orgesa, ju ecni në rrugën e babait tuaj, sipërmarrësit të Ola 1, mjaft e suksesshme në vend. Sa ju ka shërbyer shembulli i tij, dhe sa motivues ka qenë babai dhe familja juaj në këtë iniciativë tuajën?
Faleminderit për komplimentin! OLA 1 është shkolla ime e jetës dhe prindërit bashkë me xhaxhain janë mentorët më të mirë që unë mund të kisha patur ndonjëherë. Kam preferuar gjithmonë t’i përkufizoj si trekëndeshi ku unë mbështetem, me tre kulmet që karakterizojnë më së miri ata, Vizioni – Energjia – Profesionalizmi.
Edhe sot që numëroj rreth 15 vjet në punë përkrah tyre, e gjej veten shpesh duke menduar a do të jem dhe unë gjithmonë kaq vizionare, energjike, këmbëngulëse, mirënjohëse, diskrete dhe bashkëpunuese.

Përtej biznesit dhe punës tuaj të përditshme, cila është Orgesa me hobet, pasionet dhe dëshirat e saj?
Pasionet e mia lidhen gjithnjë me udhëtimet dhe sportin. Në përditshmëri aktiviteti në fitness dhe fundjavat me miqtë në det ose ngjitje në mal (është dhe moment shumë i favorshëm për të testuar funksionalitetin e veshjeve të COHL’S).
Ndërsa udhëtimet mbeten përherë frymëzim, momenti i rikarikimit të energjive, njohja me të vjetrën dhe të renë.

Po synimet tuaja në biznes cilat janë?
Rrugëtimi i COHL’S në tregun ndërkombëtar dhe eksplorimi i dimensioneve të reja.

_____________

Botuar në Revistën BORDO

Numri Qershor-Korrik 2020

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF