KreuBusull

Mesazhi i veçantë i vajzës së Dritëroit per Anetën, nënën e Edi Ramës!

Mëngjesin e së shtunës (1 gusht), u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare, Aneta Rama, nëna e kryeministrit Edi Rama. Zonja Aneta mbylli sytë përgjithmonë në shtëpinë e saj në Tiranë, ku edhe prej javësh ndodhej në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Në morinë e mesazheve ngushëlluese për humbjen e madhe të familjes Rama, vëmendjen tonë e mori ai i Elonës, vajzës së shkrimtarit Dritëro Agollit, e cila duke patur njohje familjate me teta Anetën, siç ajo e quan të ndjerën, ka ndjerë pikëllim kur ka mësuar lajmin e ndarjes nga jeta të nënês së kryeministrit.

Elona e ka shoqëruar mesazhin ngushëllues drejtuar Edi Ramës, edhe me disa vargje të babait të saj Dritëro Agolli.

“Shumë i dashur dhe i shumëçmuar Edi,
U trishtova shumë kur lexova radhët e njoftimit të ndarjes nga jeta të teta Netës, (për mua do të mbetet e tillë ngaherë, ashtu si të gjitha zonjat e dashura dhe të përkushtuara të shokëve fisnikë dhe të një përkatësie të përzgjedhur të babait tim).
Ishte një brez nënash shumë të rralla, ky brezi i nënave tona. Aq të bukura, (të bukura edhe në përvuajtje), lozonjare, tërheqëse, moderne, rebele, të drejtpërdrejta, miqësore, fisnike, të përkushtuara, “ influencuese” në familje e shoqëri. Ky brez në fakt meriton përkujdesje e vëmendje në historinë e shkruar, pasi pa ato nuk do të mund të frymëmerrte arti i madh i krijuar nga Etërit tanë.

Dritëroi në një poezi të kohëve të fundme, shkruan :

“Kur humb një grua,
Humb një krua
Dhe shkrënd të mbetet vetja,

Kur humb një grua,
Shterr një krua
Dhe vdes në zall nga etja.”

Është një poezi jo shpesh e përmendur, por aq e dashur dhe e shumëkuptimshme për mua.

“I dashur Edi,
Jemi robër të mungesave”- trondiste Hamleti i famshëm me këtë thënie. Sado gjithçka përparon, perfeksionohet, ndriçohet nga zbulime, mugullon plotgjë dhe asgjë , gjeneza jonë, nëna, përherë është ajo çka nuk ka nevojë të zbulohet, veçse të duhet marrëzisht. Dhe kjo dashuri sfidon gjithçka, edhe vdekjen.
E paharruar qoftë në Jetë të jetëve!
Të përqafoj me lot e dashuri… Elona”: shkruan vajza e shkrimtarit të njohur nê mesazhin e ngushëllimit.

Kujtojmë që Dritëro Agolli është një prej korifejve të letërsisë shqiptare. Por përveç letërsisë ai është angazhuar edhe në politikë. Agolli ka qenë deputet i Partisë Socialiste që nga viti 1992 deri në vitin 2001. Ai ka qenë gjithashtu edhe anëtar i kryesisë së kësaj partie për vite më radhë.

Tags:

Home Busull

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF