
Që prej kësaj të enjte, si masa shtrënguese për të ulur numrin e infektimeve nga Covid-19 çdo qytetar në ambiente të hapura e të mbyllura do të jetë i detyruar të mbajë maskë.
Për ata që nuk respektojnë këtë rregull do të ketë sanksion monetar, gjoba e të cilës do të jetë 3 mijë lekë të rinj (30 mijë lekë të vjetër). Kushdo që nuk mban maskën edhe në rrugë pas 15 tetorit, do të gjobitet. Do jetë policia bashkiake dhe ajo e rendit ata që do të vendosin masën administrative, ndërsa si agjent mbledhës i saj do të jetë OSHEE përmes faturës së energjisë elektrike.
Deri tani vendet e rajonit si Kosova dhe Mali i zi e kanë me detyrim mbajtjen e maskës në hapësira publike, ndërsa Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje Hercegovina e përdorin pjesërisht atë.
Po ashtu edhe vendet e Europës si Italia, Spanja, Polonia, Sllovenia dhe Turqia e kanë me detyrim mbajtjen e maskës edhe në rrugë, siç do të jetë në Shqipëri prej mesjavës.



















