KreuFashion

Xhevahiri personal, sipas muajit tuaj të lindjes!

Pak veta mund ta dinë që secilit muaj të vitit i është bashkangjitur guri i çmuar vetjak.

“Me ç’qëllim?”, mund të pyesni ju.

Vetëm mendoni pak: stolitë tuaja mund të mbajnë gurin tuaj të lindjes! Jo vetëm kaq; stolitë me xhevahirin personal shërbejnë si dhuratë perfekte për të dashurit tuaj.

Jeni kuriozë të dini se cili xhevahir ju përket? Lexoni në vijim!

1. Janar

Muaji janar ka si gur të çmuar Garnetin, një gur i ngjashëm me rubinin, por më i mbyllur në ngjyrë. Garneti e merr emrin nga shega (anglisht “pomegranate”) dhe me të drejtë, pasi duket tamam si kokrrat e këtij fruti të shijshëm. Jo vetëm kaq: garneti lidhet me perëndeshën Persefoni, gruan e Hadit, zotit të Nënbotës. Ashtu si garneti, edhe shega është fruti i saj.

2. Shkurt

Ametisti është guri i të lindurve në shkurt. Ky gur i veçantë, në ngjyrë lejla si asnjë gur tjetër, lidhet me prejardhje mbretërore. Kjo sepse ngjyra lejla është konsideruar gjithnjë një ngjyrë mbretërish, pasi ka qenë e vështirë për t’u krijuar dhe në çmim mund të përballohej vetëm nga fisnikët.

3. Mars

Marsi ka gurin Akuamarinë, gurin e mrekullueshëm në ngjyrë të kaltër. Ky gur u përshtatet Peshqve, të lindurve të këtij muaji, sepse përputhet me pastërtinë e shpirtit të tyre.

4. Prill

Prilli ka më të shtrenjtin ndër xhevahirë: Diamantin! Ka kuptim, po të mendojmë që Demat, të lindurit e prillit, janë shenjë shumë materialiste. Nuk pranohet asgjë më pak se e mira nga ata!

5. Maj

Muaji pranveror i majit kërkon një xhevahir në ngjyrë natyre, dhe Smeraldi është guri perfekt për të! Smeraldi është një ndër gurët më të shtrenjtë në botë, dhe të lindurit e muajit maj duhet të jenë të lumtur që u ka rënë ky xhevahir për pjesë!

6. Qershor

Perla është guri perfekt për muajin qershor, pikënisjen e verës. Quajtur ndryshe “lotët e sirenave”, ekziston një shprehje për perlat: “Perla është mbretëresha e gurëve të çmuar dhe guri i çmuar i mbretëreshave“. Elizabeta I i stoliste gjithnjë fustanet e saj me qindra perla të përkryera.

7. Korrik

Ky muaj i zjarrtë ka një xhevahir akoma më të zjarrtë: Rubinin! Duhet të dini që rubini nuk është i kuq, por me nuanca rozë. Kështu bëhet dallimi nga guri i janarit, garneti. Nuk është e nevojshme të thuhet që rubini është një ndër gurët më të njohur dhe të shtrenjtë të botës, pjesë e “Katërshes fantastike”: Diamanti, Safiri, Smeraldi dhe Rubini.

8. Gusht

Bëhuni gati për një xhevahir të mbajtur sekret: Peridoti! Pak veta mund ta dinë që peridoti ishte guri i preferuar i Kleopatrës, pasi minohej shumë në Egjipt. Të mos ngatërrohet me smeraldin, sepse peridoti ka një ngjyrë të pastër ulliri.

9. Shtator

Të lindurit e shtatorit kanë Safirin si gur të çmuar. Ky gur mbretëror është shumë popullor, madje edhe princesha Diana kishte unazë fejese me një safir 12-karatësh, rrethuar nga 14 diamantë të vegjël. Sot, është Kate Middleton ajo që ka nderin ta mbajë këtë unazë.

10. Tetor

Muaji tetor ka një gur shumë të veçantë: Opali, ky gur me të gjitha ngjyrat e ylberit brenda tij. Peshorja, shenja e këtij muaji, meriton një gur të tillë gazmor, për t’iu përshtatur natyrës së saj të dashur. Sa shenjë me fat!

11. Nëntor

Nëntori ka Topazin, këtë gur në ngjyrë të artë, ashtu si gjethet vjeshtake. Jo vetëm kaq, sepse topazi gjendet edhe në ngjyrë blu apo lejla, dhe është mjaft ekonomik si gur. Topazi më i rrallë është ai në ngjyrë të kuqe, i cili quhet topaz imperial.

12. Dhjetori

Muaji i ftohtë i dhjetorit ka gurin Zirkon, “kopjuesin” e diamantit, me çmim ku e ku më të lirë se ai. Ka kuptim, po të mendojmë hejet e akullit, të ngjashme me zirkonin. Zirkoni ka nisur të jetë një zëvendësues i diamantit edhe në unazat e fejesës. Pse jo, në fund të fundit? Askush nuk mund ta dijë të vërtetën, me këtë ngjashmëri të madhe midis tyre.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF