“Unë luaj në piano dhe kjo është dashuria ime. Unë lexoj dhe pikturoj, madje krijoj edhe muzikë, pra kam një jetë mjaft krijuese”
Pas më shumë se njëqind rolesh kryesore, me një karrierë që shtrihet nga vitet 1960 deri më sot, është paksa çudi që Hollywood nuk ka gjetur ende një arketip prej mishi, aq të paharrueshëm, për të portretizuar Sir Anthony Hopkins. Fituesi i çmimit Oskar, i cili sapo mbushi 83 vjeç, ka luajtur pjesën më të madhe të roleve të tij, vrasës psikotikë të shkëlqyeshëm; anglezë të përmbajtur, në prag të krizave emocionale, gjeni ikonikë të shekullit të 20-të; më shumë personazhe të Shekspirit sesa çdokush. Për shumë aktorë pasioni do të ishte venitur pas gjashtë dekadash para kamerës, por jo për Hopkins, i cili me vështrimin syve të tij të kaltër, flokët e thinjur dhe zërin kirurgjik, mbetet ende si një pishtar i ndezur. Jetëgjatësia e tij në ekranin e madh, është për t’u admiruar, po ashtu edhe fakti që është shumë aktiv në rrjetet sociale. Aktori ka tejkaluar veten dhe pritshmëritë për të gjitha brezat, por cili është sekreti? Kompozimi, piktura, aktrimi, të qenit aktiv në rrjetet sociale? Zbulojeni!
Hopkins, ju keni thënë se sa më shumë jetoni, aq më shumë ju duket si ëndërr. A ka ndonjë moment ku gjërat duket sikur janë ndryshe nga realiteti?
Shumica e 30 viteve të mia të fundit kanë qenë të tilla. Rezultatet dhe manifestimet e gjërave që unë i kisha ëndërruar qysh fëmijë apo kur isha ende i ri. Këtë e kuptova mbase 30 vjet më parë. Mendova, “Kjo është joreale. Sepse, gjithçka ka ndodhur ashtu siç e kam pritur, ashtu siç e kam pikturuar”. E gjithë jeta ime ka qenë e tillë dhe jam i magjepsur nga fuqia që kemi të gjithë. Sepse ne e krijojmë jetën tonë ndërsa e jetojmë atë çdo ditë.
A mendoni se aktorët kanë një jetë të brendshme më të fuqishme? Njerëzit shpesh thonë se aktorët janë më emocionalë, më të ndjeshëm.
Epo, unë gjithmonë nuk kam besim tek fjala art kur ajo aplikohet në aktrim. Gjithmonë më ka pëlqyer të jem një lloj aktori me mish dhe patate, i cili nuk beson në ndonjë nga gjërat e larta për aktrimin, kështu që unë prirem të jem pak më cinik. Por mendoj se është një proces krijues; aktrimi është një proces krijues, dhe regjia dhe muzika. Unë mendoj se njerëzit krijues – dhe unë bëj pjesë tek personat krijues, kjo nuk do të thotë që duhet të jesh aktor, muzikant, ose piktor – mendoj se nëse je në një profesion krijues ose një biznes krijues, me vetëdije ti rritesh, ngjitesh gjithmonë lart e më lart, por kjo nuk ju bën të veçantë.
Por ama ka shumë aktorë që sikur kushedi se ç’janë…
Duhet të keni kujdes nga kjo sepse kur filloni të besoni se keni licencë sepse jeni një person i veçantë që merr frymë me oksigjen të veçantë, ndodh sepse ju jeni në telashe të mëdha. Kjo është rruga drejt marrëzisë. Dhe shumë njerëz në sheshxhirime janë të tillë. Ata besojnë se janë të veçantë. Unë mendoj se aktorët janë të bekuar, ose të mallkuar, shpesh të bindur se kanë arritur majat dhe këtë arritje ata duhet ta përdorin. Por, kjo nuk do të thotë që ju jeni superior ose më i mirë se kushdo, thjesht do të thotë se kjo është mënyra se si mund të sëmurim trurin tonë.
A keni ndonjë regjisor që ju ka frymëzuar vërtet?
Ka pasur një numër të madh regjisorësh që kanë mënyrën e tyre të çuditshme të punës, që më kanë impresionuar. Unë kam punuar me Oliver Stone dhe Spielberg, disa nga më të mirët dhe unë kam qenë me fat, por gjithnjë përpiqem të ruaj një model unik pune. Oliver Stone është një regjisor i shkëlqyeshëm, dhe unë kam parë shumë filma të tij, ndaj përpiqem të krijoj çdo situatë nga imagjinata ime. Shpesh unë dua të thyej të gjitha rregullat dhe të ngatërrohem me ndjesitë e mia, sepse për mua filmi është thjesht për argëtim.
Nëse nuk do të ishit bërë aktor, çfarë do të donit të ishit?
Nuk kam dashur kurrë të bëhesha aktor. Thjesht doja të isha kompozitor, por u bëra aktor, sepse nga dy kërkesat e mia për bursë, një në kolegj muzikor dhe tjetri për dramë, përfundova si një student aktrimi, kështu që unë kam jetuar për 50 vitet e fundit të jetës time në një fushë që nuk e kam dashur kurrë.
A ju ndihmon aktrimi për t’ju mbajtur të ri?
Po, sepse unë jam i ri! Të jesh krijues dhe të mbash trurin të okupuar është shumë e arsyeshme sepse nuk vdes, ose vdes ngadalë. Edhe pse ndonjëherë ndihem i lodhur dhe mendoj se duhet të heq dorë, nuk dua thjesht të dal në pension. Jo, unë i shijoj të gjitha dhe dua të vazhdoj derisa të vijë dita kur nuk mund ta bëj më. Sepse kjo është puna që unë dua të bëj.
Jeni i magjepsur akoma nga aktrimi?
Dikur isha disi i fiksuar, por jo më. Më pëlqen të aktroj, por tani më pëlqen më shumë sepse është më lehtë. Nuk mund të punoj në teatër sepse për mua është shumë serioze. Teatri ngjan si të jesh në burg. Unë i admiroj njerëzit që mund ta bëjnë këtë, por nuk mund ta bëj dot, ose më saktë nuk mund ta bëj dot ashtu si duhet. Unë preferoj të jetoj jetën time dhe të bëj pak aktrim.
Si është tani jeta juaj?
Unë luaj në piano dhe kjo është dashuria ime. Unë lexoj dhe pikturoj, madje krijoj edhe muzikë, pra kam një jetë mjaft krijuese. Nuk e bëj sepse jam i fiksuar për të qenë krijues, por sepse më pëlqen të pikturoj, edhe pse nuk e di nëse jam i mirë sa duhet, por ama pikturoj. Unë pikturoj shumë shpejt, në akrilik dhe duket se kjo funksionon, po ashtu shkruaj muzikë dhe krijoj muzikë. Pra, aktrimi është diçka që unë e bëj si plotësim.
Si është e mundur, duket sikur jeni në harmoni me veten tuaj?
Do të doja që kur isha më i ri të dija ato që di sot. Sepse kur jeni i ri jeni shumë më energjik dhe gjithçka që bën, qoftë e rëndësishme apo jo, ju nuk e ktheni kokën pas. Për mua asgjë nuk është aq e rëndësishme sa koha, thjesht jetoni jetën tuaj, sepse ne jemi këtu për fare pak kohë. Ne po vdesim duke menduar më shumë sesa duhet. Ne dalëngadalë po vrasim veten duke menduar për gjithçka. Mendo, mendo, mendo! Kurrë nuk mund t’i besosh mendjes njerëzore, sepse është një kurth vdekjeje.
Pra, ju pëlqen të plakeni?
Po, edhe nuk më pëlqen, por unë përpiqem të ruaj formën. Shikoj veten në pasqyrë, shoh linjat dhe nuk më intereson asgjë. Vdekshmëria padyshim është shpëtimtari i madh, më në fund vdekja mund të na nxjerrë nga gjithçka, por ama kjo e bën jetën time më të mirë dhe e dini pse? Lexoni Carl Jung, ai thotë: askush nga ne nuk e di se ku shkojë pas vdekjes dhe kjo është kënaqësia më e madhe.
A keni arritur gjithçka që keni dashur të arrini?
Përtej gjithçkaje. Unë kam qenë shumë me fat. Unë kam pasur problemet e mia në të kaluarën, kam pasur shqetësimet e mia, por e dini, ato vazhdojnë ende sot. Në fund them, kam pasur një jetë të shkëlqyeshme dhe jam vërtet mirënjohës për të.








Ngjyrat e stilit minimal Pranverë-Verë 2021



Fabergé, historia e vezëve më luksoze në botë

Not just love! Por, në fakt shumë dashuri!



Sezoni i sandaleve me takë po rikthehet përsëri


Pse është e dhimbshme gjidhënia?!


Sara Hoxha tregon barkun 6 javë pas lindjes!
