KreuStil Jetese

Julia Roberts; gruaja me buzëqeshjen më të bukur në botë

Aktorja e Oscar, gruaja me buzëqeshjen më të bukur në botë rrëfen për karrierën e suksesshme, por edhe zgjedhjen pse ka vendosur të jetë më shumë nënë me kohë të plotë, sesa yll I kinematografisë…! Këtë mëngjes, nga tenda e saj e plazhit duken disa delfinë që po kërcejnë në brigjet e Malibusë, por askush nuk u kushton vëmendje, sidomos pasi Julia Roberts shfaqet me një fustan të kuq operistik nga Ralph & Russo. Gjithë vëmendja është drejtuar tek ambasadorja e Lancôme. Ajo duket sikur është arratisur nga një festë e Gatsby i Madh. Përkulet shpesh nga pesha e rëndë e fustanit, ndërsa i lutet fotografi: Të lutem vetëm një shkrepje që të duket që jemi në plazh! Fotografi kërkon që ajo të ulet në rërë, por Julia e ka të pamundur. “Më duket sikur jam futur në allçi” – qesh ajo.

Aty shfaqet Julia që njohim nga ekrani, me atë buzëqeshjen e famshme, të madhe, 24 karatëshe. Nëse nuk do të isha këtu tani, do të isha duke çuar fëmijët në shkollë- thotë ajo. Jeton prej 18 vjetësh në Malibu me burrin, kineastin Danny Moder dhe tre fëmijët e tyre, binjakët 15-vjeçarë Hazel dhe Phinnaeus dhe vëllain e tyre më të vogël Henry, i cili është 13. Julia zgjohet në orën 5.30 të mëngjesit për të bërë gati mëngjesin, petulla dhe proshutë, e më pas i çon ata rregullisht në shkollë. Dikush do të mendonte se ajo jeton në mbretërinë e Hollivudit e rrethuar nga stafi I saj dhe ajo rri gjithës kohës e veshur me haute couture dhe diamante.

Por, edhe pse Roberts mishëron yllin e kinemasë, portretin e dashur dhe të adhuruar, ajo në të njëjtën kohë është bashkëshortë e nënë, ndaj preferon të jetë me këmbë në tokë. Njerëzit e ngatërrojnë idenë e të pasurit një pune kaq fantastike si aktore, me të qenit thjesht një individ, i cili duhet të shkojë në market si të gjitha gratë për të bërë pazar- thotë ajo, duke shpjeguar se ka arritur tashmë të përshtatet me idenë se Julia Roberts, është pak a shumë një nënë me kohë të plotë. Nga roli i saj i parë që e bëri të famshme tek “Pretty Woman”, apo si Erin Brockovich, që i dhuroi Oskar, Julia Roberts gjithmonë ka mahnitur me talentin, ngrohtësinë dhe bukurinë natyrore. Ajo rrallë herë është në kërkim të roleve, duke zgjedhur të presë dhe se çfarë do t’i ofrojnë regjisorët. Kur e pyet mos ndoshta ka menduar të heqë dorë nga aktrimi, ajo qesh. Epo, nëqoftëse do kisha menduar qoftë edhe shumë më pak, nuk do të isha ende në këtë biznes. Skenarët që i propozojnë i lexon darkave për burrin dhe fëmijët, që edhe ata të japin një mendim, fundja e njohin më mirë se kushdo dhe shpesh kanë qenë ata që kanë vendosur për zgjedhjet e saj. “Nëse fëmijët e mi do të kishin lexuar skenarin e Pretty Woman, film i cili pati një ndikimin të madh në karrierën time, padyshim ata nuk do ta kishin pëlqyer, por unë mrekullohem pas atij roli edhe pas 30 vitesh, padyshim atëherë isha shumë e re” – qesh aktorja.  Asokohe ajo ishte vajza e sapo ardhur në metropol nga një qytet i vogël në Georgia dhe u transferua në Nju Jork pas shkollës së mesme me qëllime krejt modeste. Kishte realizuar dy filma dhe disa role serialesh, por as që e mendonte veten në kastin e Pretty Women.

E dëshiroja atë rol shumë. Shkova bëra kinoprovën dhe në një moment dëgjova përplasjen e duarve të regjisorit, që do të thoshte: kaq ishte, ik, mbaruam! Ngriva dhe kafshova buzën si e zënë në faj. Pas kësaj, pashë regjisorin që u ngrit në këmbë, dhe tha: Kjo është e mrekullueshme”! U shfajësova duke thënë: Më falni po më keqkuptoni! Pikërisht nga ky gjest fitova rolin tim”. Më pas erdhi një tjetër sukses, Erin Brockovich, Julia vetëm 33 vjeçe kishte një Oskar dhe ishte aktorja më e paguar në botë.  Por, a është e vështirë të zbresësh nga një lartësi kaq e lartë për një artiste si Julia? Pranon se ka një intuitë shumë të fortë, edhe atëherë kur mendon se asnjë nuk po i afron ndonjë skenar, nuk shqetësohet, jo sepse tani nuk është aktorja më e paguar, por sepse është e bindur se gjërat e mira vijnë gjithmonë vetë, pa i kërkuar me ngulm. “Ka gjëra të mëdha që kam arritur në karrierën time dhe do të isha e lumtur të arrija akoma më shumë, por nuk jam penduar. Tani nuk jam aq e re dhe energjike” – thotë ajo duke qeshur, edhe pse sapo ka mbushur 53 vjeç, por ama duket në formë të shkëlqyer.  Pas filmit “Eat, Pray, Love” në 2009, ajo përqafoi Hinduizmin dhe mënyrën se si po planifikon të ardhmen, por ajo që ka e ndryshuar shumë ndodhi pasi u bë nënë. Përparësia ime duhet të ishte familja dhe fëmijët, nuk mund të isha aq egoiste për të vrapuar dhe për të bërë sa më shumë filma. Kjo ndodhi fill pas njohjes me Daniel” – rrëfen aktorja. Lajmi që Roberts gjeti Z. I Duhuri, u bë lajm në faqet e para mediatike për më shumë se një dekadë,  njohje e cila ndodhi kur ai, burri “i duhur” ishte fiks pas kamerave në xhirimet e filmit “The Mexican”.

Julia Roberts pranon sesa me fat ndihet që ka familjen dhe fëmijët, ndaj nuk habitet për ata që e shohin në përditshmëri, më shumë si thjesht Julia dhe jo aktoren e madhe: ajo është mamaja që bën biskotat më të mira në botë, gruaja që përgatit pastat më të shijshme, duke i dedikuar shumë pasion përgatitjes së tryezës së drekës në mënyrë që të gjithë të jenë bashkë. “Në jetën time, nuk dua të jem aktore. E dua momentin kur shfaqem në ekran dhe kaq. Pas kësaj jam si çdo grua në botë, jam edhe unë njëra prej tyre, që e do profesionin e saj, i dedikohet familjes dhe mirërritjes së fëmijëve” – përfundon Julia Roberts.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF