KreuStil Jetese

Shihni plazhet sekrete të Vlorës..

Nga Uji i Ftohtë në Orikum, zbuloni vende të panjohura për pushimet e paharruara të Verës, në rrugë tokësore ose detare, ju mund të eksploroni vende emocionuese që në hartë nuk ekzistojnë…! Qyteti i Vlorës, bregu i kaltër, kodrat të mbuluara me kurorën e agrumeve, rrezet e forta të diellit, janë gjithnjë një kujtim i ëmbël dhe emocionues i fëmijërisë, një pikë portokalli në memorie, që sa herë e sjell në mend më sjell pranë stinën e Verës. Dikur, plazhi përbri shkollës së Marinës ka qenë vendi më i dashur, me një ndalesë të papërshkrueshme dhe të frikshme tek Uji i Ftohtë, e cila pas viteve 1990 thuajse u shpërbë, duke zbuluar vende, brigje dhe gjire të panjohura, disa ende shumë sekrete që i joshin shqiptarët.

Kjo aventurë nis pas Radhimës, duke ecur pastaj përgjatë bregut për të zbuluar dhe prekur zona të cilat ende sot fshehin zona intime, thuajse të paprekura nga vëmendja e plazhistëve. Bordo udhëtoi këtë periudhë të nxehtë të Verës përgjatë bregut në kërkim të plazheve sekrete të Vlorës, deri në portin e jahteve…! Plazhet e qytetit të Vlorës janë me rërë të bardhë dhe shkëmbore, me gjire që shfaqen papritmas dhe presin të zbulohen. Vendi i parë, nis menjëherë pasi kaloni Ujin e Ftohtë, prej nga gjithë gjiri i Vlorës nis e merr një pamje të plotë. Në një gjatësi prej rreth 2 km deri në Jonufër, shfaqen 40 burime nëntokësore të ftohta, me ujëra tipike karstike, që dalin përgjatë gjithë gjatësisë se bregdetit, duke filluar me atë të Ujit të Ftohtë në hyrje të tunelit me të njëjtin emër e që vazhdojnë deri në Jonufër. Kjo zonë ka qenë gjithmonë zona më e parapëlqyer për të pushuar në Vlorë, por edhe pse plazhet duken si të pa arritshme, pjesa më e madhe e tyre gjendet në gjire shkëmbore, të arritshme nëse guxon të zbresësh në një zonë të thepisur.

Plazhi i Kalasë dhe ai i Vilave, janë një destinacioni që nëse nuk e keni provuar, mund të themi që nuk keni qenë kurrsesi në Vlorë. Jonufra është një tjetër destinacion i njohur, por nëse zgjedh të shkelësh përtej zonave të populluara, ku edhe grumbullimi i pushuesve është i madh, mund të zbuloni në këtë zonë, vende të cilat kanë më shumë privatësi. Mund të akomodoheni në brigjet e mbuluara me guralecë, të gjeni një hije, e më pas përveçse të bëni plazh, të përgatitni një zgarë dhe të bëheni gati për një drekë në natyrë, e cila mund të ketë bazë mishin e gjedhëve të zonës së Labërisë ose peshkun, shoqëruar me produktet vendase nga vaji i ullirit deri tek mjalti apo rakia. Përgjatë kësaj zone, pasi të keni kaluar Jonufrën, një hapësirë e gjerë e mbjellë me ullinj dhe agrume, zgjatohet deri në Radhimë. Plazhet e Rradhimës janë të njohura për kombinimin unik të rërës me guralecët, të kthyera prej kohësh në pika referimi për argëtim gjatë sezonit të Verës, pjesa më e madhe e bregut ka bare e lokale që gëlojnë nga muzika, ndërsa restorantet shtrihen përgjatë bregut. Por, nëse ju doni një vend akoma më familjar, pa zhurmë, atëherë kërkoni përgjatë bregut vende të cilat kanë më shumë qetësi. Duke ecur përgjatë zonës, shumë brigje të vogla janë ideale për grupe familjare apo të rinjsh.

Po kaq interesant është Orikumi, me plazhe më ujë të pastër, me ngjyrën e tyre karakteristike të bardhë, ku bie në sy kombinimi i peizazhit të bukur natyror, rrethuar nga malet. Qyteza e Orikumit mbushet plot pushues në Verë, por ju mund të zgjidhni nga vendet tradicionale deri tek plazhet e vogla dhe më pak të populluara që shtrihen përgjatë zonës që të çon drejt Pashalimanit. Orikumi ofron edhe një port ku ankorohen jahtet dhe anijet, prej nga ju mund të zbuloni përgjatë bregut të tjera destinacione sekrete, të cilat shtrihen deri në Gadishullin e Karaburunit.

Ishulli i Sazanit

Ata që admirojnë vende unike, ishulli i Sazanit, më i madhi në brigjet e Shqipërisë, është destinacioni iduhur për t’u vizituar. Me një sipërfaqe prej  5.7 kilometër katrorë dhe gjerësi 2 kilometër, aty mund të vizitoni disa pika mjaft interesante, edhe pse vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore të ishullit gjendet Gryka e Xhehenemit, një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë, ndërsa në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Përgjatë gjithë vijës bregdetare të ishullit ka disa pika, ku mund të ankorohen barkat ose anijet, ku mund të bëni plazh, edhe pse një pjesë e tyre janë paksa të vështira, për shkak të faktit se zonat shkëmbore janë krejt natyrale. Për më kuriozët, ishulli ofron gjithashtu edhe disa shpella nënujore të cilat mund të eksplorohen, gjithmonë nëse keni pajisjet e nevojshme dhe një specialist që ju shoqëron. Po aty gjenden edhe dy kisha të vjetra, mbetje arkeologjike, ndërtesa të vjetra, të cilat përbëjnë kërshëri për ishullin…!

Ishulli i Zvërnecit

I mbuluar nga pishat e larta, ky ishull i vogël i Vlorës mund të arrihet duke ecur përmes një ure 270 metra të gjatë, që të mundëson një takim unik me natyrën. Ishulli e ka marrë emrin nga fshati me të njëjtin emër që ndodhet aty afër. Për të shkuar në Zvërnec duhet të kalosh përmes fshatit të Nartës dhe pyllit të vjetër të Sodës. Rruga, e cila është e asfaltuar, e tepër komode, përfundon në kufijtë e saj me pamjen e ishullit të Zvërnecit. Ishulli njihet për pyllin fantastik prej disa hektarësh me pemë të larta që e mbrojnë si kurorë dhe për Manastirin e Shën Mërisë, një vepër e periudhës bizantine. Manastiri konsiderohet si një nga veprat më mbresëlënëse të trashëgimisë kulturore dhe fetare. Ndërtimi i tij mendohet të ketë ndodhur mes shek të XII- XIII dhe karakterizohet nga stili bizantin në arkitekturë. Për të shkuar në manastir ndiqet një urë druri, tipike për distanca të shkurtra, e cila lëkundet mbi ujërat e detit që ndan tokën nga ishulli. I rrethuar nga kurora e pemëve kushdo aty mund të bëjë plazh, por vendi ideal është Gjiri i Hënës, i cili ka një det të pastër dhe frekuentohet nga pushues që preferojnë qetësinë, familjaritetin dhe intimitetin.

Çfarë të vizitosh?

Vlora është një atraksion historik dhe arkitektonik, ndaj provoni të zbuloni një pjesë të së shkuarës së saj. Një prej vendeve që ja vlen për t’u vizituar është Xhamia Muradije, e ndërtuar në 1542 nga arkitekti Sinani I Madh, ajo është vepra e vetme që mbetet nga arkitekti i famshëm në Shqipëri. Xhamia ndodhet në qendër të qytetit dhe struktura e xhamisë përbëhet nga ndërtesa kryesore dhe minarja. E vendosur në majë të kodrës, me pamje nga qyteti, ndodhet vendi fetar i Kuzum Baba, një tarracë natyrore e gdhendur nga deti, e vendosur në një kodër mbi qytetin e Vlorës. Ajo e merr emrin nga Sejjid Ali Sulltan, i njohur si At Kuzum, një udhëheqës shpirtëror bektashian, i cili sipas traditës lokale, është varrosur këtu. Duke qenë pika më e lartë e qytetit, ky vend u ofron turistëve mundësinë të admirojnë peizazhin e plotë të Vlorës.

Ata që duan të njohin historinë, Muzeu i Pavarësisë është vendi i duhur: dokumente, fotografi e objekte origjinale, pasqyrojnë historinë e Pavarësisë, por edhe një koleksion me flamujt origjinalë dhe relike të kohës. Kalaja e Kaninës, gjendet vetëm 7 kilometra larg qytetit dhe daton që në shekullit 4-ët para erës tonë, e cila ka ende një sistem të dukshëm fortifikues. Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti kurorëzoi martesën e tij me Donika Arianitin 500 vjet më parë, ndaj edhe shpesh ky destinacion vijon të mbajë zgjuar kuriozitetin.

Kuzhina

Aroma e kuzhina e zonës së Vlorës është një përzjerje e produkteve të mishit më ato detare, një gastronomi tipike mesdhetare, ku spikatin gatimet me bazë vajin e ullirit dhe agrumet si limoni. Krahina e malësisë sugjeron që nga kohët e lashta pjatat me mishin e qengjit të pjekur në hell apo të zogjve në saç, shumica e të cilave janë të shoqëruara me produkte bulmetore si djathi që vjen aromë sherebele. Por, nga ana tjetër, prania e detit, pasuron akoma më shumë kuzhinën, duke ofruar pjata me bazë peshkun dhe gjithë gamën e produkteve marine. Byreku dhe harapashi janë po aq autoktone sa edhe traditat zakonore të tryezës së vlonjatëve, ndërsa përsa u takon ëmbëlsirave, kabunia dhe revania, janë më unike se çdo gjë tjetër.

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF