Të qenit në piedestal me flamurin shqiptar mbi krye është një rutinë kampioni të cilën Erkand Qerimaj e ka përjetuar shpesh. Peshëngritësi që i ka sjellë Shqipërisë më shumë medalje se çdo sportist tjetër është gjithmonë në kërkim të pllakës së artë dhe objektivi i radhës janë Lojërat Olimpike…. Erkand si e prite kualifimin në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”?
Kualifikimi në Lojërat Olimpike ishte në arritje shumë e madhe, pasi kam tre vite që bëj gara kualifikuese, europiane, botërore etj. Gjatë këtyre 3 viteve fatmirësisht kam grumbulluar 11 çmime dhe gjithë faza kualifikuese nuk ka qenë aspak e lehtë. Ky kualifikim për mua nuk erdhi aspak rastësisht sepse për tri vite rresht jam radhitur ndër 10 peshëngritësit më të mirë në botë. Në fjalë më të thjeshta e prisja këtë kualifikim.
Kjo është hera e dytë që ti përfaqëson Shqipërinë në Lojërat Olimpike? Mendon se ky fakt do të të ndihmojë që të kesh një performancë edhe më të mirë?
Hera ime e parë në Olimpiadë ka qenë në vitin 2008 ku u rendita në vendin e 13-të. Kam shumë shpresë dhe shumë besim se nëse na shkon gjithçka mirë me udhëtimin, stërvitjen, motivimin edhe në këtë përfaqësim Shqipëria të marrë një pozicion të mirë.
Çfarë synon në “Tokio 2020”?
Nuk do të doja të bëja deklarata para garës, sepse janë shumë komponentë që ndikojnë në mirëvajtjen e një gare. Duke qenë se prej tri vitesh në fazën para kualifikuese Shqipëria është radhitur ndër më të mirët e botës, pretendimet për të dalë sa më mirë në Tokio janë të mëdha.
Si baba i një djali, a ndikon ti në jetën e tij për ta tërhequr edhe atë drejt këtij sporti?
Edhe pse djali është ende i vogël, më duhet ta pranoj që kam parë që i pëlqen aktiviteti fizik më shumë se televizori, ipad apo lojërat pasive. Pasi përfundoj stërvitjen, krijoj lojëra që përmbajnë aktivitet fizik me djalin, krijojmë ushtrime që janë të përshtashme për moshën e tij dhe më vjen shumë mirë që ai e shijon shumë këtë kohë që kalojmë bashkë.
Erkand, ti i ke sjellë shumë medalje Shqipërisë; a je ndjerë njësoj i vlerësuar nga vendi yt?
Është e vërtetë që fatmirësisht unë i kam prekur të gjitha llojet e medaljeve të çdo kategorie që nga çmimet kombëtare në nisje të karrierës time e deri tek shpallja e kampionit të Europës për të rriturit apo kampionit të botës për të rinjtë. Nuk kam prekur vetëm medaljen Olimpike. Normalisht vlerësimi duhet të ishte edhe më I madh dhe fatkeqësisht ne ende nuk mund të krahasohemi me sportistët e tjerë në Europë apo në botë. Megjithatë disa gjëra kanë nisur të ndryshojnë; kemi një palestër shumë moderne, një ndër më modernet në Europë por që nuk mjafton sepse infrastruktura e një sportisti kërkon shumë më shumë.
Në sferën personale kujt ja dedikon medaljet e tua?
Ja kam dedikuar dhe ja dedikoj gjithmonë familjes, trajnerit tim Zef Kovaçi, dhe çdo njeriu që ka besuar vazhdimisht tek mua. Është shumë i rëndësishëm besimi që ata kanë tek mua, duke qenë se jemi në një realitet dhe ambient të vështirë për një sportist elitar me medalje në Europe dhe botë. Mungesën e kushteve dhe infrastrukturës që kanë kolegët e mi në botë, ma plotëson besimi që sportdashësit kanë tek aftësitë e mia.
Nëse një i ri pëlqen shtangën; çfarë do t’i këshillonte një profesionist si Erkand Qerimaj?
Zgjedhja e një trajneri të mirë është A-ja e një sportisti. Shqipëria ka një traditë shumë të largët talentesh në peshëngritje, ky vend ka lindur shumë kampionë në këtë sport dhe si i tillë nuk është e vështirë të gjesh një trajner të mirë në Shqipëri. Prograimi i stërvitjes për të evituar dëmtimet e një sportisti është shumë I rëndësishëm dhe këtë vetëm një trajner profesionist mund ta bëjë.
Çfarë të motivon për të mos hequr dorë nga ky sport?
Motivimi është një element shumë i rëndësishëm për një sportist. Pa motivim nuk vlen as talenti. Në rastin tim është pasioni ai që më ka mbajtur të lidhur fort pas këtij sporti. Pavarësisht vështirësive dhe sfidave me të cilat jam ndeshur gjatë karrierës, kam parë që pasioni nuk më është zbehur kurrë. Dëshira për të qenë një shembull pozitiv për të rinjtë, më ka mbajtur të lidhur pas këtij sporti. Dhe së fundmi ndoshta dhe më i madhi motiv që unë të jem vetëm një shembull dhe model i mirë është djali im.
*Botuar në numrin gusht-shtator të revistës BORDO print

Alaska në syrin e një udhëtareje!



Shihni të rejat nga fusha e teknologjisë..

Sezon Dekor; aromë Bali në Tiranë



Fakte interesante rreth Swarovski

Sugjerime librash për në valixhen e pushimeve

Çfarë simbolizon guaska në kultura të ndryshme


Lionel Messi largohet zyrtarisht nga Barcelona




MelvinFlex/ Kontrata afatgjatë me gjumin e mirë


Kombinimet më të thjeshta dhe më “in” të verës!

