Nga Nada Biraçi
Judo është ndërthurja perfekte dhe efektive e fuqisë fizike me atë shpirtërore. Thënë në fjalë më të thjeshta një sportist profesionist i judos përpos forces fizike, duhet të ketë një forcë të madhe shpirtërore, ndaj sa herë Indrit Çullhaj ka ngritur lart një kupë kampioni në Judo, ka prezantuar vlerat e tij në të gjitha dimensionet. I riu 24 vjeçar përfaqëson Shqipërinë në Lojërat Olimpike Tokyo 2021, dhe u tregua i gatshëm të ndajë me lexuesit e Bordo, emocionet e pak orë para nisjes për në Tokyo.
Indrit, ti ke arkëtuar shumë çmime në arkivën e karrierës tënde si sportist I Judos në Shqipëri, çfarë synon në Lojërat Olimpike? Cila do të ishte arritja më e madhe që ke ambicie në këtë garë?
Po e vërtetë, kam fituar shumë çmime gjatë karrierës time por pjesëmarrja në Lojërat Olimpike ka qenë një ëndërr e kahershme për të cilën kam punuar fort dhe mendoj se ftesa ishte mëse e merituar. Objektivi im për këtë garë është kualifikimi në 8-shen më të mirë në botë; nëse e arrij këtë them se do jem shumë i lumtur.
Sa orë në ditë stërvitet një sportist i Judos? Çfarë regjimi mban?
Siç mund të kuptohet, për të qenë një sportist profesionist çfarëdo sporti qoftë, disiplina dhe regjimi janë elemente kyç për sukses. Unë stërvitem 5 orë në ditë dhe stërvitja ka disa cikle, si parapërgatitja, vrapi, teknika, ndeshjet, shpejtësia, strategjia…për Lojërat Olimpike kemi 4 vite që stërvitemi dhe që mbajmë një regjim strikt e rigoroz ushqimi për të mbajtur peshën ideale, për të cilën nuk tolerohet asnjë gramë më shumë e asnjë gramë më pak.
Sipas një judisti profesionist pse një fëmijë duhet të nisë ta ushtrojë këtë sport?
Unë ndikoj shumë tek familjarët, miqtë, të afërmit që kanë fëmijë duke i shtyrë që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në kurse judo. Këtë nuk e them që të gjithë të bëhen kampionë një ditë, ama judo i ndihmon shumë fëmijët për të formuar disiplinën, shëndetin fizik dhe atë mendor. Por edhe ata fëmijë që e kanë pasion këtë sport është mirë që ta nisin që të vegjël judon sepse aty nis rruga e një kampioni, në moshën fëminore.
Çfarë të ka motivuar që të mos heqësh dorë nga sporti i Judos, një sport që duhet thënë që nuk është shumë popullor në Shqipëri?
Jo më kot thashë më lart që i shtyj prindërit që t’i aktivizojnë fëmijët me sport, jo vetëm judo por çfarëdolloj, sepse ka qenë pikërisht familja ime ajo që ka ndikuar shumë në rrugën time drejt suksesit si një judist profesionist. Më duhet ta pranoj se kur nisa të merresh me këtë sport, familja nuk synonte të më kthente në kampion, por donin që të njihja disiplinën, regjimin, si formë kjo për të mos u marrë me gjëra të tjera aspak të shëndetshme që shpesh rinia bie pre. Vetëm falë sportit unë nuk ‘pata mundësi’ të bëj hapa të gabuar në jetë. Energjinë e moshës unë si sportiest judo e shtrytëzoj në tapet…
Të është dashur ndonjëherë të përdorësh teknikat e Judos për vetëmbrojtje, jashtë të qenit sportist?
Do ta pranoj që ka patur raste që teknikat e judos i kam përdorur edhe në rrugë. Duhet të dini që gjëja e fundit që një sportist judo do të donte është ushtrimi I forcës apo teknikave që ne dime, tek ata që nuk e ushtrojnë këtë sport. Por, për vetëmbrotje edhe e kam bërë.
Pas debutimit në Lojërat Olimpike, çfarë synon Indriti?
Kam një projekt shumë të madh për ndeshjet në kafaz, por për momentin nuk mund të them shumë.
Si pjesa më e madhe e sporteve edhe Judo ka një afat deri kur mund të ushtrohet. Si e sheh të ardhmen pas kësaj?
Deri në moshën 35 vjeç mund të jesh një sportist elitar dhe në formë dhe pas kësaj moshe fillojnë garat për veteranë që kanë pasion të madh për këtë sport, për të qenë gjatë gjithë kohës në adrenalinën e sportit. Sa më përket mua, pas të 35-tave veten e shoh si trajner të rinjsh dhe një biznesmen pse jo shumë i suksesshëm.
*Botuar në numrin gusht-shtator të revistës BORDO print


Ekskluzive/ ‘Dritat e skenës’ së Donald Shehut



Ekskluzive/ Matvei Petrov; ëndrra shqiptare


City Art; vendi ku ndihesh si në shtëpi









Ekskluzive/ Erla Mëhilli; era e ndryshimit

Shihni plazhet sekrete të Vlorës..


Alaska në syrin e një udhëtareje!
