Nga Olsi Kolami
Sa herë kam ndjekur Lojërat Olimpike, atletët dhe gjimnastët rusë kanë qenë aq magjikë, të pagabueshëm, e padyshim medalistë, sa mendoja se si është e mundur që ata kanë një disiplinë kaq të hekurt. Këtë kërshëri ma shoi Metvei, një djalosh simpatik nga Rusia, i cili garon për vendin tonë në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Metvei Petrov, ka pamjen e një rusi të vërtetë, me flokë bjondë dhe sy të kaltër, por në bluzë I dallohet flamuri me shqiponjën dykrenore dhe në kahun tjetër, logoja e Ama Caffe! Ai është nga ata gjimnastë, i cili që 4 vjeç ka ëndërruar sallat olimpike dhe kjo ëndërr iu kthye në realitet, pasi Ama Caffe e mbështeti gjimnastin rus në rrugëtimin e tij, ashtu siç ka bërë edhe më herët me atletë të tjerë shqiptarë.
Ky bashkëpunim solli suksesin e parë 7 javë më parë kur Matvei solli një medalje ari për Shqipërinë nga Kroacia, e më parë fitoi po nën flamurin tonë Kampionatin Evropian në Turqi. Por tani e pret një sfidë tjetër, akoma më e madhe, garon në Lojërat Olimpike të Tokios në disiplinën kali me doreza. Rruga që e solli drejt Shqipërisë nuk ishte dhe aq e lehtë, por edhe e paimagjinueshme. “U zhvendosa nga Rusia në Pragë për filluar punë si trajner. Dërgova disa emaile për klasat e gjimnastikës, aty u takova me Alonin, i cili në fillim nuk pranoi, por më pas vendosi” – kujton Petrov. Por trajneri shqiptar, Alon Hasa duket se e kishte një arsye të fortë që në fillim nuk pranoi, ndaj këtë e justifikon me faktin sepse trajnerët rusë janë shumë të rreptë. “Në Pragë nuk dëshirojnë një trajnier rus, sepse nxënësit ndjehen keq me disiplinën e tyre, por më pas kur e takova Matvei, e pashë që ishte i sjellshëm, mirë dhe i butë dhe pranova”- thekson trajneri shqiptar i Lojërave Olimpike. Ky takim do të ndryshonte jetën e të dyve: Matvei pasi kishte qenë pjesë e gjimnastikës ruse prej vitesh, por ishte tërhequr pak para Lojërave Olimpike Rio 2016, pasi dëmtoi kyçin e dorës. Por Alon e bindi të punonin për Tokio 2020. Metvei i cili konsiderohet një ndër 10 gjimnastët më të mirë në disiplinën kali me doreza, fitues i dy kompeticioneve ndërkombëtare nën flamurin shqiptar, synon të kthehet në Shqipëri me medalje olimpike.
Asgjë nuk ka qenë e lehtë për Metvei, pasi ka nisur të studiojë gjimnastikë kur ishte ende shumë i vogël. “Isha 4 vjeç kur prindërit vendosën për mua që të përfshihesha në gjimnastikë, duke ndjekur shkollën ruse të gjimnastikës”. Ai stërvitet sot në Çeki me mbështetjen e Ama Caffe, sepse vendi ynë nuk ka ende një palestër profesioniste për këtë kategori. Por edhe pse Petrov është rus, jeton në Çeki dhe garon për Shqipërinë, për të ka rëndësi skuadra të cilën ai përfaqëson. “Ndihem shumë mirë që garoj për Shqipërinë, më pëlqen të jetoj në Pragë, e dua Rusinë sepse është vendi im, por edhe Shqipërinë e pëlqej shumë, më vjen mirë që e prezantoj atë në një nivel ndërkombëtar” – thotë gjimnasti. Aloni thekson se ka shumë shpresa për fitore, sepse të dy janë stërvitur për disa orë në ditë, 3 herë në javë. “Falë ambasadorit shqiptar në Çeki Ilirjan Kuka, gjetëm mundësinë që kompania Ama Caffe të na mbështesë, të bëhet sponsori ynë në rrugëtimin tonë për olimpiadën, por edhe në evente të tjera sportive. Jemi të kënaqur që kemi një sponsor si Ama Caffe, sepse është e vështirë për të gjetur një sponsor jashtë shtetit kur garon për Shqipërinë.”- shprehet trajneri Hasa.
Pjesëmarrja në Tokio 2020 për gjimnastin rusi, i cili mbushi 30 vjeç pak pasi mori udhëtimin drejt Azisë, është padyshim finalja, një medalje, edhe pse gara është shumë e fortë. “Në Tokio 2020 ka edhe shumë gjimnastë të tjerë rusë, disa janë shokët e mi që më suportojnë shumë. Miqtë e mi janë të lumtur për mua, që e pata këtë mundësi, sepse në Rusi është e vështirë për të konkurruar, gjimnastika është në nivele shumë të larta dhe nuk është aq e lehtë për të qenë në skuadër” – thotë Petrov.
Por, përpos konkurrencës Metvei dhe Alon shpresojnë të arrijnë maksimumin. “Gjimnastika është një nga sportet më të vështira. Ke vetëm një mundësi: gjyqtari ngre dorën lart dhe ti bën ekzekutimin, nuk ke mundësi të dytë apo të tretë, siç ndodh me sportet e tjera. Ndaj për Metvei është shumë e vështirë psikologjikisht, sepse duhet të jetë I fokusuar të bëjë atë që duhet në momentin e duhur. Shpresojmë të kemi fat, rezutatet i kemi të mira, por na duhet edhe fat” – thekson Alon Hasa.
Edhe pse janë të dy shumë të rinj e sidomos nga dy vende krejt të ndryshme, ajo që të bën përshtypje në këtë raport mes Metvei dhe Alon është fakti se ata janë në simbiozë. Duket se raporti i Metvei me Shqipërinë ka nisur tashmë të kristalizohet, pse jo në të ardhmen mund të vijë edhe të jetojë në Shqipëri. I pëlqen bregdetit dhe pse jo të jetojë aty. Së fundmi ata kanë takuar edhe pjesëtarët e ekipit tonë olimpik, ndaj nuk e fshehin që ndihen të motivuar, edhe pse për herë të parë këto Lojëra Olimpike do të jenë të mbyllura dhe pa publik, për shkak të Pandemisë. “Për gjimnastët kjo është më mirë, është më e thjeshtë të kontrollosh emocionet, sepse publiku në sallë duke të parë të fut në presion. Dikujt i pëlqen, dikujt jo, pra më shumë lufton me veten tende”- shprehet Metvei.
Rruga e tyre drejt Tokios ka nisur, tani Metvei pret atë momentin e duhur: të ngjitet mbi kalin me doreza, e duke ruajtur ekuilibrin, të performojë më të vetmin qëllim, për të sjellë një medalje ari në Shqipëri.
*Botuar në numrin gusht-shtator të revistës BORDO print


City Art; vendi ku ndihesh si në shtëpi









Ekskluzive/ Erla Mëhilli; era e ndryshimit

Shihni plazhet sekrete të Vlorës..


Alaska në syrin e një udhëtareje!



Shihni të rejat nga fusha e teknologjisë..

Sezon Dekor; aromë Bali në Tiranë

